Pyetja:
Jam një motër muslimane me mbulesë islame. A më lejohet të paraqitem pa mbulesë dhe të përshëndetem me dorë me xhaxhanë e burrit tim?
***
Përgjigjja:
Në parim femrës muslimane i lejohet të paraqitet pa shami, të vetmohet dhe të përshëndetet me dorë me çdo njeri që i ndalohet martesa me ndalesë të përhershme.
Përballë kësaj, femrës muslimane i ndalohet të paraqitet pa shami dhe të përshëndetet me dorë me të gjithë ata burra që janë të huaj e që i lejohet martesa me ta. Po ashtu edhe muslimanit i ndalohet të përshëndetet me dorë dhe të vetmohet me gra të huaja për të, pra që i lejohet martesa me to.
Xhaxhai i burrit nuk konsiderohet në të njëjtën kohë edhe xhaxha i gruas, prandaj ai konsiderohet i huaj për gruan, pa marrë parasysh moshën e tij, ngase argumentet e urdhëresës për mbulesën kanë ardhur në formë të përgjithësuar, pa bërë dallim në mes të riut dhe të moshuarit. Allahu i Lartësuar thotë:
“O ti Pejgamber, thuaju grave të tua, bijave të tua dhe grave të besimtarëve le t’i vënë shamitë (mbulojat) e veta mbi trupin e tyre, pse kjo është më afër që ato të njihen (se nuk janë rrugaçe) e të mos ofendohen. Allahu fal gabimet e kaluara, Ai është mëshirues.” (Ahzab: 59)
Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kini kujdes nga të vetmuarit me gra (të huaja).” Njëri prej ensarëve tha: “Çka thua për të afërmit e burrit?” Pejgamberi tha: “Të afërmit e burrit janë vdekja.” [1]
Lejth bin Sa’di ka thënë: “Të afërmit e burrit d.m.th. vëllai i tij, xhaxhai i tij, djali i xhaxhait dhe të ngjashëm me ta.”
Po ashtu Pejgamberi ﷺ ka thënë:
“Të shpohet në kokën e njërit prej jush me gjilpërë të hekurt është më mirë për të sesa të prekë një grua që nuk i lejohet.” [2]
Ndërsa Aishja ka thënë: “Nuk ka prekur dora e Pejgamberit ﷺ dorë gruaje, përveç asaj që ka pasur të vetën.” [3]
Mirëpo ju mund t’i flisni xhaxhait dhe të afërmve të burrit tuaj e të dilni para tyre me mbulesë islame, por duke mos u përshëndetur me dorë dhe as nuk duhet të vetmoheni me ta.
Allahu e di më së miri.
Dr. Shefqet Krasniqi
————————————————————
[1] Buhariu, nr. 5232; Muslimi, nr. (2172) 20.
[2] Taberaniu, nr. 486, Albani e ka bërë sahih, shih: Sahih el-Xhami, nr. 5045.
[3] Muslimi, nr. (1866) 88.