Pyetja:
A lejohet në Islam transplantimi i organeve për t´ia shpëtuar jetën dikujt tjetër?
***
Përgjigjja:
Transplantimi i organeve të trupit lejohet për t’ia shpëtuar jetën dikujt tjetër me dy kushte:
1. Të konstatohet në bazë të analizave mundësia e përfitimit të të sëmurit nga ky transplantim si dhe të ketë besim me përqindje të madhe në suksesin e operacionit.
2. Transplantimi të mos ndikojë në dëmtimin e shëndetit të dhuruesit. Nëse konstatohet se transplantimi e rrezikon jetën e dhuruesit të organit, atëherë nuk lejohet në asnjë rast, ngase nuk mund të jetë e lejuar që dikush të shpëtojë jetën e dikujt tjetër duke vrarë veten, ngase kjo do të ishte vetëvrasje.
Në lidhje me këtë temë për lejimin e transplantimit të organeve kanë dhënë fetva shumë institucione të rëndësishme të specializuara për dhënien e fetvave, si Kongresi Islam Ndërkombëtar i mbajtur në Malajzi, Asambleja e Jurisprudencës Islame, Këshilli i Dijetarëve të Mëdhenj në Mbretërinë e Arabisë Saudite, komisione përkatëse për fetva të shtetit të Jordanisë, Kuvajtit, Egjiptit dhe Marokut. Këtu do të citojmë disa pjesë të vendimeve të marra nga Asambleja e Jurisprudencës Islame në kongresin e saj të katërt, të mbajtur në Xhide të Arabisë Saudite më 06-11 shkurt 1988 / 18-23 xhumadel ahire 1408 h., me nr. 26 (4/1).
Vijon citati:
1. Lejohet transplantimi i organit nga një vend i trupit në një vend tjetër të të njëjtit trup, duke treguar kujdes që dobia e këtij operacioni të jetë më e madhe sesa dëmtimi i mundshëm. Dhe me kusht, që ky operacion të kryhet me qëllim të vendosjes së një organi të humbur, kthimit të formës normale, për ta vënë në funksionin përkatës, për ta larguar një të metë apo një gjymtim që shkakton dëmtim fizik apo kokëçarje psikike.
2. Lejohet transplantimi i organit nga një trup në një trup tjetër, nëse ai organ ripërtërihet, sikurse lëkura dhe gjaku. Këtu duhet të kihet parasysh kushti që dhuruesi të jetë kompetent që të vendosë për veten e tij.
3. Lejohet përfitimi nga pjesa e një organi që është nxjerrë nga një njeri tjetër për shkak të sëmundjes së tij, sikurse marrja e kornesë së syrit nga një njeri të cilit ia kanë nxjerrë syrin për shkak të ndonjë sëmundje.
4. Ndalohet transplantimi i një organi që është kyç për jetën e njeriut, sikurse bartja e zemrës nga një njeri i gjallë te një njeri tjetër.
5. Ndalohet transplantimi i një organi nga një i gjallë të cilit do t’i humbiste një funksion i rëndësishëm të jetës së tij, edhe pse nuk shkakton humbjen e jetës në thelb, sikurse transplantimi i të dy korneve të syrit. Mirëpo nëse nuk i humb funksionin 100%, kjo mbetet të hulumtohet më tutje.
6. Lejohet transplantimi i një organi nga një i vdekur për një të gjallë, kur organi është kyç për jetën e njeriut apo është kyç për funksionimin e shëndoshë të një roli të rëndësishëm. Por me kusht që këtë ta ketë lejuar i vdekuri apo trashëguesit e tij, ose me pajtimin e udhëheqësit të muslimanëve, nëse i vdekuri është i panjohur apo nuk ka trashëgues.
7. Duhet theksuar se lejimi i transplantimit në rastet e sipërpërmendura kushtëzohet që të mos bëhen me shitje, sepse shitja e organeve të njeriut nuk është e lejuar në asnjë mënyrë. Kurse dhënia e pasurisë për të gjetur organin e duhur, për të shpërblyer apo për ta nderuar dhuruesin mbetet të hulumtohet më tutje.
8. Çdo gjë tjetër përveç rasteve dhe formave që përmendëm, që ka lidhje me temën, mbeten të hulumtohen më tutje në bazë të informatave mjekësore dhe dispozitave fetare[1].
Allahu e di më së miri.