Pyetja:

Kushërirës sime i ka vdekur burri, i ka lënë pasuri dhe ajo dëshiron të martohet me një tjetër burrë. A është mëkat që këtë pasuri ta dërgojë tek burri tjetër?

***

Përgjigja:

Sipas mësimeve islame, prej shkaqeve të trashëgimisë është edhe martesa, kurora. Nëse njeriu vdes dhe pas vetes ka lënë gruan pa fëmijë, atëherë gruas i takon një e katërta nga trashëgimia e burrit, kurse pjesa tjetër u takon trashëgimtarëve të tjerë, siç janë babai, nëna, vëllai, motra, etj..

Mirëpo nëse njeriu vdes dhe pas vetes ka lënë gruan dhe fëmijë, atëherë gruas i takon një e teta e pasurisë nga trashëgimia e burrit, kurse pjesa tjetër u takon fëmijëve dhe prindërve. Allahu xh.sh. thotë:

Atyre (grave) u takon një e katërta nga ajo që lini ju, nëse nuk keni fëmijë, por nëse keni fëmijë, atyre u takon një e teta nga ajo që lini pas kryerjes së testamentit që keni përcaktuar ose borxhit.” (Nisa: 12)

Sipas mësimeve islame, gruaja e cila trashëgon pasuri nga burri i saj i vdekur ka të drejtë ta përdorë atë pasuri sipas dëshirës së saj, ngase këtë pasuri e ka fituar në mënyrë të ligjshme, prandaj askush nuk ka të drejtë të përzihet dhe t’i bëjë presion që të heqë dorë nga e drejta e saj e ligjshme, e drejtë kjo të cilën ia ka garantuar Krijuesi i ynë i Gjithëdijshëm.

Po ashtu pas vdekjes së burrit gruaja duhet të presë katër muaj e dhjetë ditë dhe në këtë periudhë pritjeje ajo nuk ka të drejtë as të fejohet e as të martohet, kurse pas kalimit të periudhës së pritjes ka liri të plotë të vendosë për të ardhmen e saj, a do të martohet me burrë tjetër apo jo. Allahu xh.sh. thotë:

E ata që vdesin dhe lënë gra pas vetes, ato (gratë) presin katër muaj e dhjetë ditë. E kur ta kryejnë ato afatin e tyre, nuk është mëkat për ju (familja kujdestare) për atë që bëjnë ato në mënyrë të njerëzishme me veten e tyre. Allahu hollësisht e di çka veproni.” (Bekare: 234)

Në rastin konkret, kushërira juaj, e cila ka trashëguar pasuri nga burri i saj i vdekur, përveçse ka të drejtë të martohet pas kalimit të afatit të pritjes, ajo po ashtu ka drejtë që pasurinë e trashëguar sipas së drejtës së sheriatit ta shfrytëzojë sipas dëshirës së saj, ngjashëm si me çdo pasuri tjetër që posedon.

Mirëpo nëse kushërira juaj merr nga trashëgimia e burrit më shumë sesa ia ka caktuar Allahu i Madhërishëm në ajetin e lartpërmendur, atëherë ajo bën mëkat të madh dhe atë pasuri nuk e ka hallall, nuk e ka të lejuar ta përdorë as për nevojat e veta e as t’ia dhurojë dikujt tjetër. Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi