Pyetja:
A është haram ta festojmë ditëlindjen? E nëse është haram, atëherë pse?
***
Përgjigjja:
Nuk i lejohet askujt që ta festojë ditëlindjen e tij, ngase në Islam janë ligjësuar vetëm dy festa: Festa e Fitër Bajramit dhe festa e Kurban Bajramit. Festimi i çdo feste tjetër, përveç këtyre dy festave, është risi në fe, e risia në fe është e urryer dhe e ndaluar. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush shpik në fenë tonë atë që nuk është prej saj, ajo (vepër e shpikur) është e refuzuar.” [1]
Prej festave të shpikura është edhe festa e ditëlindjeve, e cila është kryekëput përngjasim me jobesimtarët, ndërsa Islami na ndalon t’u përngjajmë jobesimtarëve në festat dhe në traditat e tyre. Pejgamberi ﷺ, ka thënë: ”Kush i përngjet një populli, ai është prej tyre.” [2]
Festimi i ditëlindjes është i lidhur ngushtë me traditat e të krishterëve. Njerëzit festojnë ditëlindjet e tyre duke ndezur aq qirinj sa vite kanë mbushur (p.sh. nëse fëmija mbush 12 vjeç, ndezin 12 qirinj). Nuk ka dyshim se festimi i kësaj dite është përngjasim me të krishterët dhe çifutët, të cilët e kanë shpikur këtë festë. Gjithashtu nuk lejohet as pjesëmarrja në këtë festë, e as të uruarit të tjerëve për këtë dhe të ngjashme me të, për arsye se janë gjëra të ndaluara.
Allahu e di më së miri.
Dr. Shefqet Krasniqi
————————–
[1] Buhariu, nr. 2697; Muslimi nr. (1718) 17.
[2] Ebu Davudi, nr. 4031. Albani ka thënë: “Hadithi është hasen sahih”.