Pyetja:
Nëse jam vetëm në shtëpi duke u falur dhe ndërkohë vjen dikush e më thërret, a bën ta ndërpres namazin apo duhet të vazhdoj?
***
Përgjigjja:
Çështja e namazit është një çështje shumë e madhe, shumë me rëndësi, zaten nuk ka vepër më të madhe për nga pesha, për nga rëndësia, për nga sevapi sesa namazi.
Kur përmendet namazi duhet të na kujtohet menjëherë fakti se është fjala për shtyllën kryesore të Islamit, duhet të na kujtohet fakti se gjëja e parë për të cilën do të japim llogari në botën tjetër është namazi.
Muslimani kur lidhet në namaz është në bashkëbisedim me Krijuesin e tij, Allahun xh.sh., dhe në njëfarë mënyre me rastin e marrjes së tekbirit fillestar muslimani shkëputet nga kjo botë materiale e fizike dhe lidhet me botën shpirtërore. Namazi është më i madh sesa të ndërpritet për gjëra të vogla dhe që nuk çojnë kurrfarë peshe.
Namazi mund të ndërpritet vetëm në raste kur rrezikohet dëmtimi i jetës, shëndetit apo i pronës, si p.sh. në rast se jemi duke u falur dhe dikush na sulmon, apo nëse dikush kërkon ndihmë, ose fëmija i vogël rrezikon të rrëzohet apo të digjet, apo nëse bie zjarr dhe është në rrezik të digjet shtëpia, e kështu me radhë. Pra, në raste të ngjashme me këto që i përmendëm lejohet ndërprerja e namazit.
Në rastin konkret, nëse dikush vjen në shtëpi dhe thërret apo i bie ziles, nëse vlerësoni se thirrësi ka nevojë urgjente për ndihmën tuaj, atëherë lejohet ndërprerja e namazit. Por nëse është thjesht dikush që vjen zakonisht për vizitë, atëherë namazi nuk bën të ndërpritet, ngase ai ka mundësi të presë dhe pas përfundimit të namazit i shpjegoni arsyen pse s’keni pasur mundësi t’i përgjigjeni menjëherë, që të mos hasni në keqkuptime të njerëzve.
Allahu e di më së miri.
Dr. Shefqet Krasniqi