Pyetja:

E kam falur namazin në veturë, a është namazi i vlefshëm në këtë mënyrë?

***

Përgjigjja:

Dijetarët islam janë në pajtueshmëri të plotë se falja e namazit nafile duke qenë hipur në mjetin transportues është e vlefshme, duke u bazuar në transmetime të shumta, të cilat vërtetojnë se Pejgamberi ﷺ ka falur namaze nafile hipur mbi kafshën e tij gjatë udhëtimit. Në kohën e sotme në vend të kafshës si mjet transportues kemi veturat, ndaj duke bërë analogji me atë që u cek më lart themi se lejohet falja e namazit nafile në veturë. Kur falesh në këtë formë bie kushti i qëndrimit në këmbë dhe kushti i drejtimit kah kibla, mirëpo ky lehtësim është i ligjshëm vetëm për namazin vullnetar (nafile) për udhëtarin dhe jo për namaze obligative (farze) dhe as për atë që nuk është udhëtar. Atij që udhëton me veturë apo me aeroplan i lejohet të falë namaz nafile ulur në çfarëdo drejtimi që lëviz vetura apo aeroplani, duke bërë lëvizje me kokë në ruku dhe sexhde, duke bërë që për rukunë të lëvizë kokën më pak, e për sexhde më shumë. Enes bin Maliku r.a. e falte namazin vullnetar duke qenë hipur edhe jashtë drejtimit të kibles. E kur u pyet pse vepron kështu, ai tha: “Po të mos e kisha parë Pejgamberin ﷺ duke vepruar kësisoj, nuk do të veproja.” [1]

Po ashtu Ibën Umeri r.a. transmeton se Pejgamberi ﷺ e falte namazin e natës gjatë udhëtimit i hipur mbi kafshën e tij, në cilindo drejtim që ecte kafsha duke bërë shenjë me kokë, po ashtu e falte edhe vitrin, ndërsa namazet obligative nuk i falte hipur mbi kafshë.” [2]

Vlen të theksohet se kur e fillon namazin është mirë të jeni i drejtuar nga kibla, nëse ka mundësi natyrisht. Gjithashtu vlen të ceket se nëse ka komunikacion të dendur apo jeni duke drejtuar makinën shpejt dhe keni nevojë të jeni të përqendruar në timon, nuk ia vlen fare të faleni në veturë, bile mund edhe të ngarkoheni, të bëni gjynah nëse rrezikoni jetën tuaj apo të të tjerëve sepse shëndeti juaj dhe i të tjerëve dhe siguria në komunikacion është më me rëndësi sesa namazi nafile.

Si përfundim themi se nëse namazi që keni falur në veturë është nafile, atëherë është i vlefshëm, mirëpo nëse keni falur namazin farz, atëherë duhet ta përsëritni këtë namaz edhe një herë, ta bëni kaza, ngase namazi farz nuk bën të falet ulur në veturë pa arsye të justifikuar.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

—————————-

[1] Buhariu, nr. 1100; Muslimi, nr. (702)-41.

[2]Buhariu nr. 1098; Muslimi nr. (700)-39.