Pyetja:
A prishet namazi dhe abdesi nëse qan në namaz për gjërat e kësaj bote?
***
Përgjigjja:
Nëse në namaz qan për gjërat e kësaj bote, atëherë prishet namazi, kurse abdesi nuk prishet, përpos nëse të del ndonjë lot ose të del pak zë dhe nuk mund ta ndalësh nga dhembja e madhe për humbjen e ndonjë të afërmi, kjo nuk e prish namazin. Por nëse mund ta ndalësh zërin dhe ta frenosh veten, por nuk e bën dhe vazhdon të qash me zë, atëherë pa dyshim se e prish.
Kur në namaz qan për punët e botës së ardhshme, ose qan për Allahun xh.sh., për dashurinë ndaj Tij, për frikën ndaj Tij, për përmallimin për xhenet etj., pavarësisht a qan vetëm me lot apo edhe me zë, atëherë ky vaj nuk e prish namazin, madje kjo punë është e preferuar, e lavdëruar dhe është prej cilësive të robërve të devotshëm. Abdullah bin Shehiri r.a. thotë: “Shkova te Pejgamberi ﷺ, e ai kishte qenë duke u falur dhe i dëgjohej zëri duke qarë (në namaz).” [1]
Pastaj është transmetuar se Ebu Bekri r.a. qante shumë në namaz, saqë Aishja r.a. kërkoi nga Pejgamberi ﷺ që të mos e caktonte Ebu Bekrin për ta zëvendësuar Pejgamberin ﷺ, në namaz me xhemat sepse nuk mund të lexonte Kuran nga të qarët. [2] Gjithashtu sahabët e tjerë dhe muslimanët që kanë ardhur pas tyre në vazhdim kanë qarë në namaz.
Allahu e di më së miri.
Dr. Shefqet Krasniqi
—————————–
[1] Ebu Davudi, nr. 904; Nesaiu, nr. 1214
[2] Buhariu, nr. 678′ Muslimi, nr. (418) 94.