Të shikuarit e melekut në prag të vdekjes

1.I nderuar hoxhë! A e sheh njeriu në prag të vdekjes melekun e vdekjes?

Përgjigjja: Ajetet dhe hadithet me transmetime të sakta vërtetojnë se çdo njeri në prag të vdekjes e sheh melekun e vdekjes. Vetëm se dallimi qëndron në atë se besimtari e sheh melekun e vdekjes në formë të bukur, që e përgëzon me sihariqe e shpërblime dhe ia merr shpirtin me lehtësi e nderime. Allahu xh.sh. thotë:

“E, s’ka dyshim se ata që thanë: “Allahu është Zoti ynë” dhe ishin të paluhatshëm, atyre u vijnë engjëjt (në prag të vdekjes dhe u thonë): Të mos frikësoheni, të mos pikëlloheni, keni myzhde xhenetin që u premtohej.” (Fussilet: 30)

Gjithashtu, Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: ”Kur besimtari është në pragun e largimit nga kjo botë, i vijnë atij melekët e Zotit me fytyra të qeshura e të gëzuara, me qefinë nga qefinët e xhenetit dhe me parfum nga parfumet e xhenetit, i qëndrojnë para tij. Pastaj vjen meleku i vdekjes, i afrohet te koka dhe i thotë: “O shpirt i mirë! Dil në mëshirën dhe kënaqësinë e Zotit tënd.” Shpirti i del (shumë lehtë) ashtu siç del pika e ujit nga ena (kur e kthen enën të derdhësh ujin…)”[1]

Kjo jep të kuptohet qartë se njeriu në prag të vdekjes e sheh melekun, përndryshe nuk ka kuptim fjala e Pejgamberit [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem], ku thotë se melekët i vijnë me fytyra të qeshura e të gëzuara.

Ndërsa jobesimtari melekun e vdekjes e sheh në formë të frikshme e kërcënuese dhe ia nxjerr shpirtin me vrazhdësi. Allahu xh.sh. thotë:

“E, sikur t’i shihje mizorët kur janë në agoni të vdekjes, e engjëjt kanë shtrirë duart e veta (me ndëshkim) e (u thonë): Shpëtojeni pra vetveten (nëse mundeni). Tash përjetoni dënimin e turpshëm për shkak se e thoshit të pavërtetën për Allahun dhe ndaj argumenteve të Tij ishit kryeneçë.” (En’am: 93)

Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Kur i vjen vdekja atij që nuk ka besuar në Zot, i afrohen melekët, të cilët të fusin frikën kur i shikon, me çarçaf (mbështjellës) të xhehenemit. Menjëherë afrohet meleku i vdekjes dhe i thotë: “O shpirt i fëlliqur, dil tek zemërimi dhe hidhërimi i Zotit Tënd!” Ky lloj shpirti shkëputet nga trupi ashtu siç mund të shkëputet leshi i lagur nga ferrat…”[2]

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Shiko hadithin e lartpërmendur.

[2] Shiko hadithin e lartpërmendur.