Pyetja:

Kam bërë një betim për Zotin që nëse më përmbushet një lutje, do të agjëroj. Por nuk jam e sigurt sa kohë jam betuar se do të agjëroj, prandaj a bëj gjynah nëse agjëroj me pak?

***

Përgjigjja:

Zotimi nënkupton shprehjen në mënyrë të qartë të angazhimit për kryerjen e një vepre të mirë, e cila nuk është obligim fetar, por ia obligon vetes. Për shembull kur dikush thotë: “Ia jap fjalën Zotit, ose vallahi, do ta jap këtë shumë të hollash lëmoshë për të fituar kënaqësinë e Allahut xh.sh.” Ose thotë: “Në qoftë se Allahu xh.sh. e shëron të afërmin tim të sëmurë, do të agjëroj tri ditë” etj..

Zotimi është i vlefshëm vetëm atëherë kur bëhet nga një person në moshë madhore, i shëndoshë nga ana mendore dhe i lirë për të zgjedhur, pa marrë parasysh nëse është musliman apo jo.

Kush zotohet se do të bëjë ndonjë adhurim, si f.v. do të falë namaz nafile, do të agjërojë, do të japë lëmoshë etj., atëherë është i obliguar që ta zbatojë zotimin. Pejgamberi [ﷺ] ka thënë: ”Kush zotohet për ta bërë ndonjë adhurim ndaj Allahut, le ta bëjë atë. E kush zotohet për t’i thyer urdhrat e Allahut, të mos i thyejë ato.” [1]

Nga ky hadith mësojmë se zotimi duhet të përmbushet vetëm në rastet kur prej tij ka dobi dhe vepra të mira, por nuk duhet të përmbushet nëse prej tij ka dëm dhe mëkate.

Zotimi mund të jetë i kushtëzuar ose i pakushtëzuar.

1. Zotimi i kushtëzuar është atëherë kur dikush angazhohet për të kryer një vepër të mirë në qoftë se i ndodh ndonjë mirësi ose shpëton nga një fatkeqësi, si p.sh. kur dikush thotë: “Në qoftë se Allahu xh.sh. e shëron të afërmin tim të sëmurë, do të ushqej tre të varfër”, ose thotë: “Në qoftë se Allahu xh.sh. e realizon dëshirën time, do të bëj këtë gjë”. Në këtë rast obligohet realizimi i zotimit kur plotësohet kushti i përmendur në zotim.

2. Zotimi i pakushtëzuar është kur dikush angazhohet për të bërë diçka pa e kushtëzuar me diçka tjetër, si p.sh. kur dikush thotë: “Zotohem se do të falem dy rekate”. Në këtë rast obligohet realizimi i zotimit sepse hyn tek fjala e Pejgamberit [ﷺ]: “Kush zotohet për ta bërë ndonjë adhurim ndaj Allahut, le ta bëjë atë.” [2]

Nëse keni harruar numrin e ditëve që jeni zotuar për të agjëruar, atëherë ju duhet të përpiqeni të agjëroni aq ditë sa ua merr mendja përafërsisht se jeni zotuar dhe nëse e bëni këtë, atëherë nuk keni mëkat inshaAllah.

Është me rëndësi të theksohet se në përgjithësi zotimi nuk është i preferuar. Ibën Umeri r.a. transmeton se Pejgamberi [ﷺ] ka thënë: “Zotimi nuk sjell diçka të mirë, por me anë të tij nxirret (pasuria) prej koprracit.” [3]

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Buhariu, nr. 6696.

[2] Buhariu, nr. 6696.

[3] Buhariu, nr. 6608; Muslimi, nr. (1639)-2.