Pyetja:
Jetoj në Gjermani edhe e bëj një punë të dytë me gjysëm-orari si delivery për një piceri. Aty picat i bëjnë edhe me mish të derrit, ndërsa unë punoj aty shpërndarës i tyre, i shpërndaj nëpër adresa. A më lejohet kjo punë?
***
Përgjigjja:
Falënderimi i takon vetëm Allahut. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Muhamedin, të Dërguarin e Tij ﷺ.
Puna nëpër restaurante, piceri e të ngjashme; qoftë në kuzhinë, kamarier, apo shpërndarës i porosive, në parim është e lejuar përderisa nuk cenohet ndonjë dispozitë e fesë. Me një fjalë, një punë e tillë fetarisht vlerësohet varësisht me atë se çfarë gatuhet aty dhe çfarë shërbehet. Ndërsa shpërndarja e ushqimeve haram, në këtë rast picave me mish derri, nuk lejohet, qoftë edhe nëse ajo bëhet për personat që e konsumojnë mishin e derrit, ngase mishi i derrit dhe të gjitha produktet e tij, sikurse që është i ndaluar konsumimi i tyre për besimtarin, ashtu është i ndaluar edhe shitja e tyre dhe shërbimi i tyre të tjerëve. Në mënyrë që mos ta ndihmojmë njëri-tjetrin në mëkat dhe armiqësi. Mirëpo nëse pyetësit në këtë rast i mundësohet që të bëj shpërndarjen vetëm të picave që nuk përmbajnë mish derri, nuk ka ndonjë pengesë fetarisht të punojë një punë të tillë, përderisa nëse pyetësit nuk i ofrohet kjo mundësi, porse ai duhet të bëj shpërndarjen e të gjitha picave; me mish të lejuar por edhe me mish derri, atëherë kjo punë nuk lejohet për të. Situata që do të mund të diskutohej është: Sikur ky person të mos gjente ndonjë punë tjetër dhe ka borxhe apo ka përgjegjësi finaciare familjare, do t’i thuhej: Vazhdo të punosh derisa të gjesh ndonjë punë tjetër, porse kërko me seriozitet ndonjë punë tjetër, që të largohesh sa më parë prej kësaj pune. Ndërsa në rastin konkret kjo arsye nuk ekziston, për faktin se pyetësi ka një punë tjetër dhe shpërndarjen e picave bën si punë e bën si punë të dytë, që i bie se nuk lejohet mbajtja e kësaj pune, përderisa pyetësi është i detyruar të bëj shpërndarjen edhe të picave me mish derri. Allahu e di më së miri.
Hoxhë dr. Rasim Haxha
Comments are closed.