Pyetja: A lejohet që një femër të shkojë në një dyqan ku shitësi është mashkull, fjalën e kam nëse në dyqan nuk ndodhet askush tjetër a është e lejushme kjo?
Si dhe cili është qëndrimi Islam mbi përzierjen e dy gjinive në çdo vend?

 

Përgjigje:
Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit!

Qëndrimi i vetmuar me personin e gjinisë së kundërt, në një vend të mbyllur, në Islam është e ndaluar, përveç nëse aty ndodhen edhe persona të tjerë. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Burri të mos vetmohet me një grua të huaj, përveçse me mahrem (person familjar).” (Buhariu, 5233) Në lidhje me dispozitën e përgjithshme për këtë mund t’i ktheheni artikullit: https://pergjigje.net/sqarime-rreth-raporteve-e-kontakteve-te-ndaluara-mes-dy-gjinive/

Kurse, sa i përket rastit tuaj, nëse futeni në një vend publik, siç është një dyqan apo çfarëdo lokali tjetër i cili në esencë është i lejuar për t’u futur aty, atëherë çështja është shumë më e lehtë, pasi që rrethanat për të qenë i vetmuar me personin e gjinisë së kundërt janë shumë më të vështira për t’u realizuar.

Fillimisht, nëse një femër futet në një dyqan publik gjatë orarit të punës, kur dyqani është i hapur për të gjithë, atëherë aty në çdo moment pritet të futet një konsumator për të blerë diçka, gjë që e bën pothuajse të pamundur që femra të jetë e vetmuar me shitësin për kohë të gjatë. Gjithmonë duke pasur parasysh dyqanet që kanë frekuentim më të shpeshtë të konsumatorëve.

Mirëpo, nëse dyqani ndodhet në një vend rural, fshat apo diku tjetër, ku shitësi ka mundësi ta keqpërdorë situatën apo ta mbyll derën e dyqanit, pa frikë se dikush mund të vijë, atëherë nuk lejohet që femra të futet në një dyqan të tillë pa praninë e një të afërmi ose të paktën një personi tjetër që është prezent në dyqan.

Kjo nuk është çështje që duhet nënçmuar, pasi që jo rrallëherë ndodhin ngacmime seksuale apo edhe më shumë se kaq, vetëm për shkak të vetmimit me gjininë e kundërt dhe mundësisë për t’u fshehur nga shikimi i njerëzve, madje nga kjo nuk sigurohet as njeriu më i devotshëm. Për këtë arsye, ishte vetë Jusufi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!), i cili edhe pse ishte profet, megjithatë u tundua nga gruaja me të cilën u vetmua dhe, sikur të mos ishte kujtimi i Allahut dhe lidhja që kishte me Zotin, edhe ai do të binte në këtë sprovë, siç e theksoi edhe vetë: “Unë nuk e shfajësoj veten time, sepse epshi është shumë nxitës për të keqen, përveç atë që Zoti im e ka mëshiruar, se Zoti im është që falë e mëshiron shumë.” (Jusuf, 53)

Allahu e di më së miri!

Hoxhë Hekuran Helshani