Kur është e pëlqyeshme vizita e varrezave? A lejohet vizita e varrezave nga gratë?
Selam alejkum!
Pyetje: Mësuese, kisha një pyetje nëse ke mundësi për përgjigje. A ka ditë apo kohë të caktuar për vizitën e varrezave, si duhet të jetë e shpeshtë apo e rrallë dhe a lejohet të shkojnë edhe gratë apo vetëm burrat? Allahu të ruajt!
Përgjigje:
Në radhë të parë, për çështjen e vizitës së varrezave nga gratë(femrat), dijetarët kanë dhënë mendime të ndryshme për gjykimin e saj:
- Disa dijetarë kanë thënë se është haram;
- Disa të tjerë kanë thënë se është mekruh;
- Mendimi i shumicës së dijetarëve (xhumhureve) është se lejohet, por ky lejim i vizitës së varrezave nga femrat ka kushte:
- Të jetë me mbulesën fetare dhe të plotësojë kushtet e mbulesës fetare që të mos bëhet shkak fitne.
- Të jetë qëllimi i vizitës për të përkujtuar Ahiretin, ashtu siç është përmendur edhe në hadith: “Vizitoni varrezat, sepse ato ua përkujtojnë vdekjen.”
-
Të jetë qëllimi i vizitës bërja dua për të vdekurit dhe ashtu siç është transmetuar në hadithin e Aishes -radijAllahu anha- se e ka pyetur Profetin –salallahu alejhi ue selem-: “Si të themi për ta (si të lutemi për ta)?” Ai më tha:
“Shpëtimi i Zotit qoftë mbi banorët e këtyre shtëpive prej besimtarëve dhe myslimanëve! Allahu i mëshiroftë ata që janë para nesh dhe ata që do të jenë më pas! Edhe ne, inshaAllah, do t’u ndjekim, e do të vijmë tek ju.”
- Të jetë vizituesja prej atyre që e përmbajnë veten, duke mos rënë në veprime që janë në kundërshtim me Islamin, si: vajtimi me zë të lartë, grisja e rrobave, sepse këto janë të ndaluara në Islam.
- Të mos jetë kjo vizitë në ditët apo kohërat që njerëzit e kanë bërë zakon të vizitojnë varrezat, si p.sh. në Shqipëri ditëve të premteve apo ditëve të Bajramit (kjo pa pasur asnjë argument fetar).
- Të mos jetë në kohërat që zakonisht mund të ketë burra.
Përgjigje nga Adelina Kuçana