Përgjigje:

Nuk i lejohet prindit (nënës apo babait) që të lutet në këtë mënyrë. Pra, është e ndaluar që njeriu të lutet kundër fëmijve të tij, apo kundër vetes së tij. Xhabir bin Abdilah El Ensarij, radijallahu anhu, tregon se i Dërguari, salallahu alejhi we selem, ka thënë: “Mos u lutni kundër vetes tuaj! Mos u lutni kundër fëmijve tuaj! Mos u lutni kundër shërbëtorve tuaj! Mos u lutni kundër pasurisë suaj! Sepse ka mundësi që lutja juaj të ndodh në orën kur Allahu i Lartësuar jep (i përgjigjet lutjeve), dhe kështu të pranohet lutja e juaj.” E transmeton Ebu Dawudi me zinxhir të saktë.

Këto fjalë i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi we selem, i tha me një rast kur sahabët ishin duke udhëtuar së bashku me të në një prej betejave e cila quhet “Batn Buwat”. Në këtë udhëtim sahabet nuk kishin numër të mjaftueshëm të kafshëve të cilat i përdornin për të udhëtuar.Kështu, që ata u ndanë në grupe prej pesë, gjashtë dhe shtatë persona të cilët e shfrytëzonin vetëm një deve për udhëtim. Në mesin e tyre ishte edhe Xhabir bin Abdilah, të cilit kur i erdhi radha të udhëtojë mbi deve, ajo u ndal dhe nuk lëvizi. Atëherë, ai (nga zemërimi) tha:Ec, Allahu të mallkoftë! Kur e dëgjoi këtë i Dërguari i Allahut,salallahu alejhi we selem, pyeti: “Kush është ky që po e mallkon devenë e tij?” Xhabiri u përgjigj: Unë, o i Dërguari i Allahut!.Atëherë, ai tha: “Zbrit prej saj dhe mos na shoqëro me këtë (deve) të mallkuar. Mos u lutni kundër vetes tuaj! Mos u lutni kundër fëmijve tuaj! Mos u lutni kundër pasurisë suaj!
Sepse ka mundësi që lutja juaj të ndodh në orën kur prej Allahut kërkohet diçka dhe ai t’i përgjigjet lutjes tuaj.”Në këtë ngjarje ka argument se ka mundësi që edhe lutja që njeriu e bën gjatë zemërimit apo hidhërimit, të marr përgjigje prej Allahut.

Mirëpo, Allahu është i Butë dhe Mëshirshëm me robërit e Tij, dhe nuk u përgjgjet shumicës së lutjeve që ata i bëjnë kundër vetes, pasurisë apo fëmijve të tyre gjatë zemërimit apo hidhërimit; ngase Ai e di se ata – në këtë gjendje – nuk i bëjnë këto lutje me qëllim që vërtetë t’iu ndodhin ato gjëra (për të cilat luten). Sikur Allahu, qoftë i Lartësuar, t’iu përgjigjej lutjeve të njerëzve për çdo gjë që ata i luten Atij, atëherë Ai do t’i shkatërronte.

Allahu i Madhërishëm,thotë: “Njeriu mallkon në të keqe, ashtu siç lutet edhe për të mirë;vërtet që njeriu është i ngutur.”

➖Kurse, në suren Junus (ajeti 11)thotë: “Sikur Allahu, t’ua shpejtonte të keqen njerëzve, ashtu siç e dëshirojnë shpejt të mirën, me të vërtetë që ata do të zhdukeshin.” Por, Allahu është më i Lartësuar dhe i Lavdëruar se kjo, prandaj Ai i nderon robërit e Tij duke u përgjigjur lutjeve të tyre të cilat i bëjnë për veten, pasurinë apo fëmijë e tyre, duke u dhënë mirësi,bekim (bereqet) dhe prosperitet.