Përgjigje nga Adelina Kuçana

Sa i përket gjakut që del para lindjes, janë dhënë disa mendime nga dijetarët dhe kjo lidhet me përkufizimin e tyre për lehoninë.

Mendimi i parë: Ata që e llogarisin lehoni vetëm gjakun që del pas lindjes thonë se çdo gjak që del para lindjes, edhe nëse është me dhimbje, nuk është lehoni (nifas). Ky është mendimi i medh’hebit Shafi dhe konsiderohet mendim i fortë, sepse të quajturit lehonë ndodh vetëm pas daljes së fëmijës nga mitra, pra pas lindjes. Duke u bazuar në këtë mendim, gruaja është e obliguar të falet edhe nëse ka gjak apo dhimbje, pasi nuk konsiderohet ende lehonë derisa të lindë.

Mendimi i dytë: Ata që thonë se gjaku që del për shkak të lindjes, i shoqëruar me shenjat dhe dhimbjet e lindjes, e llogarisin si lehoni edhe gjakun që del deri dy ditë para lindjes, nëse shoqërohet me dhimbjet e lindjes. Ky është mendimi i medh’hebit Hanbeli.

  Nga këto mendime, ajo që unë e shoh më të saktë është veprimi sipas mendimit të parë, sepse kjo është më e sigurt për detyrimin e faljes së namazit. Kjo, pasi origjina e adhurimeve është detyrimi derisa të ketë një argument të qartë që e bën të detyrueshme lënien e namazit.

Allahu e di më së miri dhe paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të Dërguarin e Tij, Muhamed!

dr. Adelina Kucana