Imam Ahmedi ka thënë se nuk lejohet të marrësh pjesë në festat e nasarave apo jehudëve. Ai e mbështet këtë qëndrim me fjalën e Allahut të Madhëruar:
“(Robërit e Zotit janë) Edhe ata që nuk dëshmojnë rrejshëm dhe kur (rastësisht) kalojnë pranë të keqes, kalojnë duke e ruajtur karakterin e vet” El-Furkan, 25:72
Ai e komentoi këtë si: “Kjo i referohet të dielës para Pashkëve dhe vetë ceremonisë së Pashkëve.”
Ky transmetim tregon qartë se nuk lejohet të marrësh pjesë në ceremonitë fetare të kufarëve, dhe ky është mendimi themelor i medhhebit Hanbelit.
Muhana ka thënë: E pyeta Imam Ahmedin për pjesëmarrjen në disa ceremoni që mbahen këtu në Sham – si Tur Tabur¹, Dijar Ejub² dhe të tjera – ku disa muslimanë marrin pjesë duke shkuar në tregjet e kufarëve për të blerë ose shitur gjëra si: lopë, dele, miell, grurë etj. Megjithatë, ata nuk hyjnë në kishat e tyre.
Ai u përgjigj: Nëse nuk hyjnë në kishat e tyre por qëndrojnë vetëm në tregjet e tyre atëherë nuk ka problem në këtë.
¹ Tur Tabur, e njohur ndryshe si “Ceremonia e Zotit” apo “Festa e Shpalljes”, është një festë e nasarave që mbahet në gusht. Sipas tyre, Zoti Jezusi iu shfaq tre dishepujve të tij në Kodrën Tabur.
² Dijar Ejub është një fshat në rajonin e Havranit, pranë Damaskut. Thuhet se aty ka jetuar dhe është sprovuar profeti Ejub -alejhi selam-, dhe aty ndodhet edhe varri i tij. Festa që mbahet aty nga nasarat quhet edhe “E mërkura e Ejubit”.
Imam Muhenna bin Jahja Esh-Shami
Mesail-ul-Imam Ahmed bin Hanbel
Fusnotat: Ismail Gazi Merhaba
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com




