Pyetja: Shejh, a ka mundësi që njeriut t’i vijnë disa dyshime dhe paqartësi, qoftë prej paditurisë së tij apo prej cytjeve të shejtanit, sidomos në fushën e besimit (akides)?
A ndëshkohet muslimani për këto dyshime dhe paqartësi?
Përgjigja:
Së pari, Muhamedi alejhi selam ka thënë:
“Me të vërtetë Allahu ia ka shlyer umetit tim ato që u shkojnë në mendje, përderisa robi këtë nuk e ka futur në veprim apo e ka shprehur me gojën e tij, dmth me fjalë.”
(Buhariu dhe Muslimi)
Së dyti, sahabët e nderuar, Allahu qoftë i kënaqur me ta, e pyetën Muhamedin alejhi selam në lidhje me dyshimet të cilat edhe ju i cekët më lart, dhe Muhamedi alejhi selam është përgjigjur, duke thënë: “Ky është besimi i qartë.”
Përpos kësaj ka shtuar duke thënë:
“Njerëzit vazhdojnë të pyesin, derisa të thuhet: Allahu krijoi njerëzit, po Allahun kush e krijoi?!
Nëse dikush ngacmohet sado pak qoftë ajo me këtë kategori të pyetjeve, ai menjëherë duhet të thotë: Kam besuar në Allahun dhe të Dërguarin e Tij!”
Ndërsa në një transmetim tjetër është thënë:
Le të thotë:
“Eudhu bil-lahi minesh-shejtanirr-rraxhiim (kërkoj mbrojtje nga Allahu prej shejtanit të mallkuar) dhe ta mbyllë çështjen me këtë.”
(Transmeton imam Muslimi)
Lusim Allahun t’i ruajë muslimanët nga këto sprova.
Allahu e di më mirë.
Shejh Abulaziz bin Bazi, Allahu e mëshiroftë!
Nga arabishtja: Suad B. Shabani




