Fëmijët meshkuj, kur hyjnë në moshën e dallueshmërisë (rreth moshës 10 vjeç ose pak më shumë), nuk duhet të flenë në të njëjtin shtrat me nënën ose motrën e tyre, për të mbyllur rrugët e së keqes dhe për të shmangur pasojat e mundshme. Profeti (paqja qoftë mbi të) ka thënë:

“Urdhëroni fëmijët që të falin namazin kur të mbushin 7 vjeç dhe rrihini (nëse nuk falen rregullisht) kur të mbushin 10 vjeç, dhe ndani në shtrat (në këtë moshë).”

Gjithashtu, Allahu i Madhëruar ka urdhëruar që fëmijët që ende nuk kanë arritur moshën e pjekurisë seksuale të kërkojnë leje për të hyrë në dhomë në tri kohë të caktuara:

“O ju që keni besuar! Fëmijët që nuk kanë mbushur akoma moshën e pjekurisë seksuale dhe skllevërit tuaj duhet të kërkojnë leje (për të hyrë) prej jush në tri kohë: para namazit të sabahut, kur t’i hiqni rrobat tuaja në drekë dhe pas namazit të jacisë. Këto tri kohë janë avrete (kohë në të cilat duhet të jeni të kujdesshëm). Nuk bëni gjynah as ju e as ata, nëse hyjnë në kohë të tjera (pa leje), sepse ju jetoni bashkë me njëri-tjetrin (në të njëjtën shtëpi). Kështu jua sqaron Allahu argumentet. Allahu është i Ditur, i Mençur.” (En-Nur: 58)

Ndërsa për fëmijët që e kanë arritur moshën e pjekurisë seksuale, duhet të kërkojnë leje në çdo kohë, sepse Allahu thotë:

“Kur të arrijnë fëmijët tuaj pjekurinë, duhet të kërkojnë leje ashtu siç kërkojnë leje edhe ata që janë më të mëdhenj (në moshë). Kështu jua sqaron Allahu argumentet e Tij. Allahu është i Ditur, i Urtë.” (En-Nur: 59)


Fëmijët që nuk i kanë mbushur dhjetë vjet mund të flenë me nënën apo motrën e tyre në të njëjtin shtrat, sepse ata nuk e kanë arritur ende moshën e dallueshmërisë dhe kanë nevojë për përkujdesje. Gjithashtu, të rriturit e të dy gjinive mund të flenë në të njëjtën dhomë, nëse është e sigurt se kjo nuk do të sjellë pasoja apo probleme.

Burimi:/Komisioni i përhershem për fetva/