Përgjigja

Së pari:
Çdo gjë që Allahu dhe i Dërguari i Tij ﷺ e kanë urdhëruar, është detyrë e myslimanit ta pranojë dhe t’i nënshtrohet me bindje të plotë. E gjithë kjo sepse Allahu nuk urdhëron asgjë kot dhe se në çdo veprim dhe dispozitë të Tij ligjore apo ekzistenciale, ekziston një urtësi.

Nëse urtësia e ndonjë urdhri apo ndalese na bëhet e qartë, kjo është mirësi, por edhe nëse nuk na bëhet e qartë, ne besojmë se në të qëndron një urtësi nga Allahu, dhe se Allahu e ka urdhëruar për dobinë e robërve – qofshin ato për jetën e kësaj bote apo të botës tjetër, apo për të dyja njëherësh.

Kërkimi i urtësive nga besimtari për qëllim të forcimit të besimit dhe bindjes, është i lejuar dhe nuk ka diç të keqe në këtë. Urtësitë  në disa prej dispozitave ligjore dhe caktimeve hyjnore janë kërkuar dhe vazhdojnë të kërkohen vazhdimisht nga dijetarët, dhe nëse arrijnë tek ndonjë konkluzion, e përmendin me qëllim të shtimit të besimit dhe bindjes. Por nëse nuk arrijnë, atëherë dorëzohen të bindur se çdo gjë që vjen nga Allahu ka urtësinë e vet, qoftë në dispozitat ligjore apo në çështjet ekzistenciale.

Ndërsa pyetja për urtësitë, me qëllim kundërshtimi dhe mospranimi, kjo është ndër arsyet e kufrit dhe mendimit të keq për Allahun.

Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Nëse sheriati përmend urtësinë e ndonjë urdhëri, apo ajo nënkuptohet, atëherë kjo është edhe një dëshmi më shumë, si dhe nxitje për zbatim. Por edhe nëse kjo urtësi nuk i bëhet e qartë, kjo nuk e dobëson dorëzimin ndaj urdhrit dhe as e cenon bindjen e tij. Ai që madhëron urdhrat e Allahut i zbaton urdhrat dhe ndalesat ashtu siç kanë ardhur, pa i kushtëzuar me arsyetime që i dobësojnë apo dëmtojnë bukurinë e tyre. E lëre më ti kundërshtojë ata me arsyetime që çojnë në të kundërtën e tyre.”1

Ibn Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Pyetja për urtësinë, nëse bëhet për të kuptuar më mirë, nuk ka gjë të keqe në të. Sahabët e nderuar, mu për këtë i bënin pyetje të të Dërguarit të Allahut ﷺ, për urtësinë e disa çështjeve. Siç është në ajetin: “Të pyesin ty për hënën, (fazat e saj)…” [El Bekare: 189].

Kjo lloj pyetjeje është kërkim i diturisë dhe ndihmon besimtarin në shtimin e besimit dhe diturisë . Por, nëse pyetja për urtësinë bëhet me qëllim mosnënshtrimi, duke mos pranuar vendimin sheriatik përveçse kur të kuptohet arsyeja, atëherë kjo është devijim, arrogancë ndaj së vërtetës, ndjekje e pasionit dhe vendosje e sheriatit nga udhëheqës në pasues.2

Së dyti:

Sa i përket rruajtjes ose shkurtimit të flokëve në haxh dhe umre, në esencë ky është një urdhër nga Allahu dhe i Dërguari i Tij, dhe është detyrë për ne që të nënshtrohemi dhe të njëjtin ta zbatojmë. Edhe nëse neve nuk na bëhet e qartë urtësia, ata janë nga ritet e adhurimeve që Allahu ka urdhëruar, dhe në to shfaqet përkryerja e bindjes dhe nënshtrimit, ashtu siç është edhe gjendja me ritet tjera të haxhit..

Nëse dikush pyet: Pse janë shtatë rrotullimet rreth qabes, shtatë ecjet mes Safasë dhe Mervës, shtatë gjuajtjet e gurëve? Pse bëhet haxhi me këto rroba specifike? Pse ndalohen gjërat që zakonisht lejohen?

Përgjigja është: Dëgjuam dhe iu bindëm! Sepse në të gjitha këto rite gjejmë një edukim të fuqishëm mbi nënshtrimin e plotë ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij ﷺ, pa kundërshtim apo mosmarrëveshje. Vetëm kjo mjaton si një urtësi madhështore.

Allahu i Lartësuar thotë:

“Nuk i takon asnjë besimtari apo besimtareje që, kur Allahu dhe i Dërguari i Tij kanë vendosur për një çështje, ata të kenë ndonjë zgjedhje tjetër për çështjen e tyre….” [Ahzab: 36]

Prandaj, kur një grua e pyeti Aishen “Pse gruaja me menstruacione e kompenson agjërimin. Ndërsa nuk e kompenson namazin?” Aisha i tha: “A je nga Harurit-ët (d.m.th. nga Havarixhët)?” Ajo tha: “Jo, thjesht po pyes.” Aisha tha: Edhe ne na ndodhte kjo në kohën e Pejgamberit ﷺ dhe urdhëroheshim të kompensonim agjërimin, por jo namazin.”3

Ajo i tregoi se besimtarit i mjafton që kjo është një urdhër nga Allahu i Madhëruar dhe i Dërguari ﷺ, dhe detyra jonë është të bindemi.

Shejh El-Bessam (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Sikur ajo (Aisha) po thotë: Mjafton që ta zbatosh urdhrat e Ligjvënësit dhe të qëndrosh në kufijtë që Ai ka vendosur – kjo është vetëdije dhe udhëzim.”4

Megjithatë, disa dijetarë kanë përmendur disa nga urtësitë e mundshme të rruajtjes ose shkurtimit të flokëve në haxh dhe umre. E ndër ta:

  • Siç ka dhënë haxhiu nga pasuria dhe mundi i tij për kryerjen e haxhit, po ashtu është legjitimuar që të jep diçka edhe nga trupi i tij, si shenjë e përuljes dhe bindjes së plotë ndaj Allahut. Dhe kjo është bërë me një veprim që nuk ka asnjë dëm – rruajtjen apo shkurtimin e flokëve.
  • Caktimi i rruajtjes apo shkurtimit si akt përfundimtar i ihramit është simbolik, sepse është një veprim që nuk bie ndesh me dinjitetin. Po të lihej çështja pa një akt të tillë, njerëzit do të shpiknin mënyra të ndryshme për dalje nga ihrami. Kjo i ngjan përshëndetjes së fundit të namazit (selamit), që përcakton përfundimin e tij.

Allahu e di më së miri.

Burimi:
Marrë nga faqja “Islam Question and Answer” (IslamQA.info)

Përktheu: Senad Ramadani

  1.  Es-Seva’ik el-Mursele”, 2/1131 ↩︎
  2. Tefsiri i Uthejminit: El-Fatiha dhe El-Bekare”, 1/133 ↩︎
  3. Buhariu 321 dhe Muslimi 335 ↩︎
  4. Tejsir el Alam sherh Umdet el-Ahkam, fq. 82 ↩︎