Përgjigja:

Ky veprim është bidat (risi në fe) dhe i ndaluar (haram), por nuk është shirk i madh. Megjithatë, ky veprim është një rrugë që çon në shirk.

Andaj, Pejgamberi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) i ka mallkuar ata njerëz që ndërtojnë faltore mbi varre. Ai gjithashtu ka ndaluar faljen te varret apo në drejtim të varrit, sepse këto rrugë dërgojnë në shirk (në veprimin e shirkut).

Pejgamberi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ka thënë se njerëzit më të këqij tek Allahu janë ata të cilët ndërtojnë faltore mbi varre, pra ndërtojnë objekte që njerëzit të shkojnë të luten aty.

Qëndrimi ndaj lutjes tek varret

Nëse njeriu shkon te një varr dhe thotë: “Po lutem te varri, mirëpo nuk po i lutem varrit e as të vdekurit aty, por po i lutem Allahut ngase lutja te ky varr është më e pranuar”, ky person nuk ka bërë shirk të madh. Por, ai ka vepruar diçka të ndaluar, të cilën Pejgamberi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) e ka ndaluar tekstualisht. Gjithashtu, ai ka ardhur me diçka të re (bidat) në fe, sepse këtë gjë nuk e ka vepruar as Pejgamberi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të), as shokët e tij, e as ata që e ndoqën rrugën e tyre. Është një rrugë që çon në shirk, andaj është e ndaluar.

Shirk i Madh

  • Lutja e personit të varrosur: Nëse njeriu e lut personin e varrosur aty, kjo është shirk, sepse lutja është adhurim që duhet t’i kushtohet vetëm Allahut.
  • Kërkesa ndaj të vdekurit: Nëse i thotë të vdekurit: “O ti filan, lute Allahun për mua”, kjo është shirk. Pejgamberi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Lutja është adhurim.” Andaj lutja duhet t’i drejtohet vetëm Allahut.
  • Therja e kurbanit për të vdekurit: Disa të tjerë therin kurban për të vdekurit e thonë: “Po e theri këtë kurban që dëshirën e lutjen time, i vdekuri t’ia përcjellë Allahut”. Pra, ata afrohen tek i vdekuri me një adhurim, dhe kjo është shirk.
  • Zotimi në emër të të vdekurit: Disa zotohen në emër të të vdekurit e thonë: “Për hir tëndin do të agjëroj kaq ditë apo do të falem namaz nate”, edhe kjo është shirk, ngase zotimi është adhurim.

/Hoxhë Lulzim Përçuku/