Pyetje: Çfarë gjykimi ka mishi i kurbanit të therur për themelet e shtëpisë?

▪️Përgjigje: Të bëhet kurban për themelet e shtëpisë duke i lagur ato me gjakun e tij pastaj varja e brirëve të tij mbi ndërtesë është një adet i hershëm i njerëzve në vendin tonë.
Kjo lloj vepre është Shirk (Idhujtari) dhe nuk lejohet. Dhe për pasojë ai mish nuk hahet, sepse ata mendojnë se ky kurban i mban të forta themelet dhe i mbron nga syri.
Ndoshta e kësaj lloj natyre është edhe ajo gojëdhëna popullore në lidhje me ndërtimin e kalasë së Rozafatit ku thuhet se muret e saj nuk qëndronin ajo që punohej ditën shembej natën- derisa ata flijuan një grua dhe më pas muret qëndruan dhe ndërtimi përfundoi.
Një lloj kurbani i ngjashëm me këtë është edhe në vendet arabe dhe e quajnë kurbani i pragut të shtëpisë. Psh: kur hyn në një shtëpi të re bën një kurban për të larguar të këqijat, syrin dhe për të afruar bereqetin dhe me gjakun e tij lyejnë pragun gjë të cilën kanë filluar ta bëjnë edhe me makinat.
Këtë lloj kurbani dijetarët si: Shejh Ibn Bazi, Shejh Uthejmini, Shejh Feuzani etj., e kanë cilësuar si Shirk.

Në librat e Fikhut përmendet një lloj gostie e lejuar që quhet [uekira] dhe është gostia e mbarimit të shtëpisë, psh: kur njeriu mbaron ndërtimin e një shtëpie të re, si falënderim për Allahun për këtë mirësi bën një gosti dhe mund edhe të therë diçka për të dhe fton miqtë dhe komshinjtë. Këtë gjë shumë dijetarë e lejojnë edhe pse nuk ka ndonjë argument të veçantë për të sepse nijeti këtu është për Allahun për tu gëzuar me një mirësi të Allahut dhe është shumë i qartë ndryshimi mes saj dhe kurbanit të lartpërmendur.

♦️Tani dikush mund të pyes: Këto kurbane të themeleve, ka prej atyre njerëzve që kur i therin thonë [Bismilah], atëherë pse të mos lejohet ai mish?

▪️Për tju përgjigjur kësaj pyetje duhet të ndalemi pak te ajeti që përmend kafshët e ndaluara për tu ngrënë ku Allahu i Madhëruar thotë:
“Ju është ndaluar: e ngordhura, mishi i derrit, ajo që theret në emrin e dikujt tjetër veç Allahut, kafsha e mbytur, kafsha e goditur, kafsha e rrëzuar nga lartësitë, kafsha e vrarë nga brirët e kafshëve të tjera, kafsha e ngrënë nga egërsirat, përveç atyre që i therni ju para se të ngordhin dhe kafsha e therur te idhujt”(Sure El-Maide: 3.)

Në këtë ajet i cili flet rreth kafshëve të ndaluara kemi dhe këto dy fjali:

Fjalia [ajo që theret në emrin e dikujt tjetër veç Allahut].
Dhe fjalia [dhe kafsha e therur te idhujt].

Fjalia e parë ndalon nga kafsha e therur në emër të dikujt tjetër veç Allahut, kurse e dyta nga kafsha e therur te idhujt edhe nëse është therur në emrin e Allahut.

Ibn Kethiri -Allahu e mëshiroftë- thotë: Allahu i Madhëruar ka ndaluar nga këto kafshë të therura pranë idhujve edhe nëse janë therur në emër të Allahut. Kështu duhet kuptuar kjo fjali sepse ndalimi i kafshës së therur në emër të dikujt tjetër veç Allahut u përmend më lart (në fjalinë tjetër).

Pra, fjala Bismilah nuk ndryshon gjë nëse vetë kurbani nuk është bërë për Allahun dhe nuk është sipas traditës profetike dhe Allahu e di më së miri.

 

/Hoxhë Dr. Abdullah Nabolli/