Pyetje: Kur e fali namazin, shpeshherë më lindin dyshimet se e kam një rekat mangut. A duhet të falem përsëri apo jo?
Përgjigjja:
FALËNDERIMI I TAKON ALLAHUT, KURSE SALAVATET DHE SELAMET TË DËRGUARIT TË TIJ…
Dyshimet në namaz rreth numrit të rekateve janë të mundshme dhe dijetarët flasin rreth tyre. Pra, kjo nuk është gjë e re në rregullat e Islamit dhe si e tillë nuk duhet të na habisë e as të na mërzisë. Fillimisht ju duhet ta falni namazin; kjo është gjëja më e rëndësishme. Pastaj duhet të mundoheni maksimalisht të mbani përkushtimin në të dhe vëmendjen gjatë faljes.
Por nëse ndodh që njeriu të ketë dyshime se ka lënë mangut apo ka shtuar një rekat, atëherë duhet të veprojë si në vijim:
-
Duhet të mundohet maksimalisht që të rikujtojë gjendjen e tij se në cilin rekat është duke u falur.
-
Nëse nuk i kujtohet rekat-i, atëherë punon me mendimin se nga cila anë i anon më shumë mendimi i tij. Nëse arrin që të anojë mendja kah njëra anë më shumë, atëherë punon me të.
-
Nëse nuk është në gjendje të anojë mendimin kah njëra anë, atëherë, për të mos u vonuar brenda namazit dhe për të mos mbetur keq, vendos diçka pa marrë parasysh, edhe pse nuk i anon mendja më shumë në të, por vendos për shembull se është në rekatin e tretë dhe e vazhdon edhe një rekat, duke mos e munduar veten më shumë rreth kësaj çështjeje, pasi e ka dhënë maksimumin e tij në përpjekje për të arritur tek mendimi më i saktë.
Pasi të ndërmarrë këtë hap të fundit, ai nuk duhet të mendojë akoma brenda namazit për këtë çështje, sepse kjo do t’ia humbë koncentrimin edhe më tej në namaz, gjë e cila është prej shejtanit.
Pas ndërmarrjes së këtyre hapave të radhitur njëri pas tjetrit, siç i kam përmendur më lart, ai nuk duhet të mërzitet e as të bëhet vesvese apo të ketë dyshime rreth atij namazi, e as nuk duhet ta përsërisë atë namaz, sepse të gjitha këto janë dyshime dhe cytje të shejtanit, porse duhet të qëndrojë i bindur dhe i qetë në atë që e ka vepruar, sepse ky është udhëzimi Islam në këtë rast dhe se njeriu duhet të mundohet sipas mundësive të tij, duke mos u munduar me gjërat që nuk i ka në dispozicion, sepse Allahu askënd nuk e obligon përtej mundësive të tij.
Allahu e di më së miri!
Me respekt:
Lulzim Susuri




