Pyetja:

Unë jam mysliman dhe jam martuar me një vajzë myslimane. Mirëpo, tani kam mësuar se para martesës bashkëshortja ime kishte pasur një lidhje me një djalë tjetër dhe kishte kryer marrëdhënie intime me të.

Çfarë duhet të bëj tani? Ju lutem më ndihmoni sipas dispozitave islame. E kam dashur shumë dhe do të jepja edhe jetën për të. Por, që kur e kam mësuar këtë, nuk po arrij më të lidhem emocionalisht me të. Ndihem i tradhtuar dhe vazhdimisht më vijnë mendime të këqija në mendje.

Ju lutem më këshilloni.

Përgjigjja:

Falënderimi i plotë i takon Allahut, Zotit të botëve. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi ﷺ është rob dhe i Dërguari i Tij.

Shikojeni gjendjen e tanishme të bashkëshortes suaj dhe jo të kaluarën e saj. Biri i Ademit është i prirur të gabojë, ndërsa më të mirët prej atyre që gabojnë janë ata që pendohen, siç është transmetuar saktësisht në Sunet.

Nëse bashkëshortja juaj është penduar për atë lidhje dhe ka shenja të qarta që tregojnë sinqeritetin e pendimit të saj, si edhe përmirësimin e sjelljes dhe devotshmërisë së saj, atëherë mbajeni si bashkëshorte, silluni me të me mirësi dhe përpiquni ta mbroni nga çdo gjë që mund ta çojë drejt sprovave dhe mëkateve.

Gjithashtu, përpiquni t’ia forconi besimin duke e nxitur të marrë pjesë në rrethet e mësimit fetar po dhe mësimit përmendësh të Kuranit, në tubimet e dijes dhe përkujtimit të Allahut, si dhe të shoqërojë gra të mira dhe të devotshme. Vërtet, kur imani rrënjoset fort në zemër, ai bëhet mburojë që e ruan njeriun nga rënia në sprova dhe mëkate.

Mirëpo, nëse ajo nuk është penduar, ose nëse keni arsye të besoni se pendimi i saj nuk është i sinqertë, atëherë ndarja prej saj është më e preferuar. Juristët islamë kanë përmendur se shkurorëzimi konsiderohet i pëlqyeshëm (mustehab) kur gruaja nuk është e dëlirë.

Allahu e di më së miri.

Burimi:www.islamweb.net / Solli në gjuhën shqipe pergjigje.net