Pyetja: Dëshiroj një sqarim më të qartë se kur duhet të varroset një musliman. A duhet të varroset në ditën e vdekjes apo në ditën më të afërt të mundshme pas vdekjes, duke marrë parasysh çështje të tilla si konfirmimi zyrtar i vdekjes, koha që u nevojitet të afërmve për të udhëtuar, orari i varrezave, larja e xhenazes, falja e namazit të xhenazes etj.?
Përgjigjja:
Falënderimi i plotë i takon Allahut, Zotit të botëve. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) është robi dhe i Dërguari i Tij.
Është prej Sunetit të nxitohet me varrosjen e të ndjerit, bazuar në hadithet që e urdhërojnë këtë. Prej tyre është hadithi:
“Kur njëri prej jush vdes, mos e mbani trupin e tij gjatë, por çojeni shpejt në varr dhe lexoni tek koka e tij Suren El-Fatiha, ndërsa tek këmbët e tij ajetet përmbyllëse të sures El-Bekare.”
Ky hadith është transmetuar nga Et-Taberaniu, ndërsa Hafiz Ibn Haxheri e ka vlerësuar zinxhirin e tij të transmetimit si hasen (i mirë) në Fet’h el-Bari.
Sheriati nuk ka caktuar një afat të veçantë për varrosjen, si p.sh. që të bëhet patjetër ditën e parë apo të dytë. Ajo që merret parasysh është që varrosja të mos vonohet deri në atë masë sa të ekzistojë frika se trupi do të fillojë të ndryshojë ose të dekompozohet.
Në librin Esna el-Metalib thuhet:
“Nëse ekziston frika e dekompozimit, çarjes ose fryrjes së trupit, atëherë nxitimi bëhet edhe më i domosdoshëm.”
Në Hashijet el-Buxhejremi sqarohet se shprehja “bëhet edhe më i domosdoshëm” do të thotë se në këtë rast nxitimi është obligim.
Sa i përket shprehjes “duke lënë kohë për të udhëtuar”, nuk është e qartë se çfarë nënkuptohet me të.
Nëse qëllimi është transportimi i trupit në një vend ose shtet tjetër për ta varrosur, kjo është në kundërshtim me Sunetin. Disa dijetarë janë të mendimit se kjo nuk lejohet, përveçse nëse ekziston një arsye e vlefshme.
Në Enciklopedinë Kuvajtiane të Fikhut thuhet:
“Shumica e dijetarëve të medhhebit Shafi’i dhe Hanbeli janë të mendimit se transportimi i të vdekurit nga një vend në një vend tjetër para varrosjes nuk lejohet, përveç nëse ekziston një arsye e vlefshme.”
Nëse qëllimi është që një i afërm është duke udhëtuar dhe familja dëshiron ta shtyjë varrosjen deri në kthimin e tij, atëherë nuk ka problem, me kusht që vonesa të jetë e shkurtër dhe të mos ekzistojë frika se trupi do të pësojë ndryshime, siç u përmend më lart.
Juristi hanbeli El-Buhuti ka thënë në Keshshaf el-Kina’:
“Varrosja duhet të përshpejtohet.”
El-Kadi ka thënë:
“Përveç nëse pritet ardhja e personave të parë (të afërmve të ngushtë); në këtë rast mund të vonohet, për sa kohë që nuk ekziston frika se trupi do të ndryshojë.”
Allahu e di më së miri.
Burimi: islamweb.net/ Solli në gjuhën shqipe pergjigje.net




