Pyetja:
Jam muslimane. Kam një pyetje për bashkëshortin tim. Unë e kam zbuluar që bashkëshorti (ai nuk është musliman) më tradhton dhe marrëdhënia jonë nga ana ime nuk është si më parë. Ai më ka premtuar që çdo gjë ka marrë fund, por unë nuk kam më besim tek ai dhe shpeshherë e largoj atë nga vetja. Nuk mund ta harroj tradhtinë e tij. Nuk di si të veproj; kam menduar për divorc, por ne kemi dhe dy fëmijë dhe më vjen keq për ta, gjithashtu unë vazhdoj ta dua. Si duhet të sillem me të? A marr unë gjynahe që e largoj atë?
***
Përgjigjja:
Motër muslimane, tema për të cilën keni pyetur ju është e rëndësisë më të vogël në krahasim me një fjali, të cilën e keni futur brenda kllapave, që bashkëshorti i juaj është jomusliman. Nëse vërtet bashkëshorti i juaj është jomusliman dhe jeni e vetëdijshme se çka nënkupton që njeriu të jetë mosbesimtar, atëherë urgjentisht duhet të rishikohet çështja e martesës suaj me të, e mos të flasim për vazhdimin e jetës. Është e ndaluar rreptësisht që femra muslimane të martohet për jomyslimanin, çfarëdo qoftë besimi i tij. Allahu thotë:
“O besimtarë, kur ju vijnë besimtaret të mërguara, provoni (besimin) tek ato. Allahu e di më mirë besimin e tyre. Nëse bindeni se ato janë besimtare, mos i ktheni te jobesimtarët. Ato nuk janë (bashkëshorte) të ligjshme për ata dhe as ata nuk janë (bashkëshortë) të ligjshëm për ato. Kthejuni jobesimtarëve pajën, që u kishin dhënë atyre. Nuk ka pengesë që t’i merrni ato për bashkëshorte, pasi t’u jepni pajën e martesës. Mos qëndroni në martesë me idhujtare. Kërkoni atë që keni dhënë (si pajë), por dhe jobesimtarët le të kërkojnë atë që kanë dhënë. Ky është ligji i Allahut, Ai ju gjykon ju; Allahu di çdo gjë dhe është i Gjithëdijshëm e i Urtë.” (Mumtehine, 10)
Allahu po ashtu thotë:“Mos i martoni myslimanet me paganë, gjersa ata të bëhen besimtarë. Skllavi besimtar është më i mirë se pagani, edhe nëse ky i fundit mund t’ju pëlqejë. Ata ju thërrasin në zjarr, kurse Allahu, me mirësinë e Tij, ju thërret në Xhenet e falje (të gjynaheve). Ai ua shpjegon njerëzve shpalljet e Veta, që të mendojnë ata.” (Bekare, 221)
Kështu, nëse burri i juaj është jomusliman, ju prej momentit kur e kuptoni dispozitën e Allahut, jeni e shkurorëzuar menjëherë dhe çfarëdo kurorëzimi që keni bërë, qoftë edhe para ndonjë hoxhe, është i paligjshëm. Për të vazhduar jetën me atë bashkëshort, ai duhet të bëhet musliman, dhe nëse bëhet musliman duhet të bëni kontratë të re martesore. Kurse tani për tani, derisa ju jeni muslimane, kurse ai jomusliman, nuk jeni në kurorë fare, andaj nuk ka vend të bëhet fjalë se mëkatoni apo jo kur keni mendime të këqija për shkak të “tradhtisë” bashkëshortore.
Për periudhën që keni kaluar në bashkëshortësi me jomyslimanin, ju duhet të pendoheni dhe të mos e përsërisni një gjë të tillë më kurrë!
Allahu e di më së miri!
Muhamed Dërmaku