Pyetja:
Pata dëshirë ta di se një femër e mbuluar, d.m.th. me shami, për hir të Allahut, a e ka haram të luajë futboll në ndonjë klub të vajzave (kuptohet), kur dihet që shikuesit në përgjithësi janë meshkuj? E në qoftë se përgjigjja është negative për shkak të veshjeve të cilat duhet t’i bartë gjatë lojës, atëherë a ekziston mundësia për me zhvilluar ndeshjen sipas veshjes islame? Nëse prapë nuk lejohet, a ka mundësi me i zhvilluar vetëm ushtrimet me ndonjë klub ku dihet që mundesh me u veshë sipas dëshirës, por gjithnjë duke mos i ikur veshjes islame?
***
Përgjigjja:
Motër muslimane, sporti në përgjithësi është i preferuar në Islam, pa i dalluar gjinitë edhe pse tek meshkujt është më i kërkuar, për shkak se në sport ka zhvillim të trupit, shëndet fizik dhe psikik, forcim të muskujve etj., gjëra këto që gjinisë mashkullore i nevojiten më shpesh, por duke mos përjashtuar edhe gjininë femërore. Mirëpo, duke qenë të vetëdijshëm për realitetin dhe pasojat që i shkaktojnë shumë lojëra sportive, dijetarët islamë i kanë ndaluar ato, për shkak të atyre pasojave, e rrallëherë ndodh që një lojë të jetë e ndaluar për vet përmbajtjen e saj.
Për të qenë një sport i lejuar për femrën duhet t’i plotësojë këto kushte:
- Të jetë larg syve të meshkujve në të gjitha mënyrat, qofshin ata shikues, trajnerë, vëzhgues, profesorë etj. Këtu duhet vu theks edhe incizimeve me kamera të ndryshme, fotoaparate apo celularë në mënyrë që të mos bie në duart e meshkujve të huaj.
- Që veshja e trupit të jetë e mbuluar tërësisht dhe sipas parimeve të Islamit edhe nëse luan vetëm me femra, e mos t’i përngjajë mosbesimtareve në veshje.
- Që salla në të cilën ushtron të jetë e posaçme për femra, ose të jetë në kohën kur është e paraparë vetëm për femra, në mënyrë që mos të ketë mundësi takimi në mes të femrave dhe të meshkujve.
Pastaj duhet të plotësohen edhe kushte të tjera, të cilat janë të përgjithshme për të dy gjinitë si:
Të mos ketë kushtëzime me para etj., e të shndërrohet në lojë bixhozi,
Të mos shkaktojë loja urrejtje, grindje dhe kacafytje, qoftë me zemër, me gjuhë apo edhe fizikisht,
Të mos përcillet loja me gjëra të ndaluara, si: alkooli, muzika, duhani etj.,
Të zhvillohet në kohë të lira e jo të shkaktojë loja vonimin apo edhe humbjen e ndonjë detyre primare si namazi etj.,
Të mos jetë sport luftarak ku ndodhin goditje të drejtpërdrejta mes lojtarëve etj.
Në pyetjen tuaj, motër e nderuar, vërejmë se loja e vajzës së mbuluar ndodh para shikuesve dhe me veshje të njohur të futbollit. Këta dy faktorë shumë kryesorë e bëjnë të ndaluar – haram pjesëmarrjen tuaj në atë klub futbollistik, edhe pse është i posaçëm për vajza. Pra, nëse të lejohet që veshja të jetë islame, por shikohet nga meshkujt nuk lejohet.
Kurse sa i përket ushtrimeve, nëse plotësohen kushtet e lartpërmendura dhe nuk kundërshtohet asnjë dispozitë madhore e Sheriatit, atëherë lejohet të bëhen.
Se a ka mundësi praktike të ndodh një gjë e tillë në mënyrë praktike në vendin tonë apo diku në Perëndim, është pikëpyetje.
Allahu e di më së miri!
Muhamed Dërmaku