Pyetja:
Djali që kam qenë në lidhje nuk është gjak i familjes ku jeton. Kam kuptuar që është djalë i falur ose i adaptuar. A është edhe obligim i imi t’i tregoj djalit për këtë normal nëse Allahu e ka caktuar fat timin? Këtë e ka kuptuar edhe familja ime dhe janë kundër ribashkimit me të për këtë arsye e arsye të tjera. Mua nuk më pengon që nuk është gjak i famljes që jeton sepse është djalë i mirë në të gjitha aspektet sidomos në aspektin e fesë dhe mundohemi që të jemi sa më mirë me njëri-tjetrin dhe po mundohemi të gjejmë një rrugëdalje për të qenë bashkë duke gjetur rrugën e përbashkët në aspektin e fesë ashtu si Allahu është i kënaqur. Sipas fesë si duhet vepruar në këtë situatë sepse nuk di si të veproj?
***
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!
Nuk ka fare pengesë në Islam nëse djali i cili tashmë është rritur, është fëmijë i adoptuar dhe Pejgamberi ﷺ i ka këshilluar përgjegjësit (kujdestarët) e femrave që kur dikush vjen t’ia kërkojë vajzën dikujt për martesë mos ta refuzojë, nëse është fetar. Ka thënë Pegamberi ﷺ: “Nëse dikush vjen për ta kërkuar (vajzën e juaj) dhe ju e pëlqeni devotshmërinë e tij dhe sjelljet e tij, atëherë mos e refuzoni sepse përndryshe do të ketë sprova dhe shkatërrime në tokë.” [1]
Në këtë rast familja jote duhet që ta pranojnë këtë djalë si dhëndër të tyre pasi qenka fetar dhe njeri i moralshëm dhe mos të bëjnë pengesa të panevojshme të cilat Islami nuk i sheh si pengesa.
Të këshilloj që të konsultohesh edhe një herë me familjen tënde dhe t’ua tregosh këtë argument që të dhashë dhe inshAllah u zbuten zemrat.
Eroll Nesimi
——————————–
[1] Tirmidhiu. Saktëson Albani