Pyetja:

Kam problem me të fejuarin tim pasi ai nuk është besimtar dhe unë kam filluar të fal namaz pasi jam fejuar me të, për më tepër konsumon alkool dhe herë-herë edhe bixhoz, këto probleme më kanë dalë më vonë me të. Ajo që bëj momentalisht është që lus Allahun ta udhëzojë atë dhe nuk jam duke e menduar ndarjen por e di që është shumë e vështirë për një femër muslimane të ketë një burrë jobesimtar. Si veprohet në kësi rastesh?

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!

Muslimani dhe muslimania martohen që të kenë një jetë të lumtur bashkëshortore dhe pa problem të mëdha dhe për këtë shkak Pejgamberi ﷺ i ka këshilluar meshkujt që të martohen me gra të cilat janë fetare, po ashtu i ka këshilluar femrat që të martohen me meshkuj që janë fetar dhe i kryejnë obligimet ndaj Allahut të Madhëruar. Andaj nuk lejohet martesa me dikë që nuk është musliman.

Pejgamberi ﷺ i ka këshilluar përgjegjësit (kujdestarët) e femrave që kur dikush vjen t’ia kërkojë vajzën dikujt për martesë mos ta refuzojë nëse është fetar, ka thënë Pegamberi ﷺ: “Nëse dikush vjen për ta kërkuar (vajzën e juaj) dhe ju e pëlqeni devotshmërinë e tij dhe sjelljet e tij, atëherë mos e refuzoni sepse përndryshe do të ketë sprova dhe shkatërrime në tokë.” [1]

Ndërsa nëse një mashkull nuk është rrugën së Allahut dhe nuk fal namaz, atëherë nuk lejohet të martohesh me të sepse transmetohet nga Xhabir ibn Abdullahu, (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Mes njeriut dhe mosbesimit është lënia e namazit.” [2]

Po ashtu ka thënë: “Ajo me çka dallohemi ne muslimanët nga ata (jobesimtarët) është namazi. Pra, kush e lë namazin është jobesimtar.” [3]

Prandaj të këshilloj që të largohesh nga ky djalë dhe të kërkosh kënaqësinë familjare tek ndonjë djalë fetar, i cili i frikësohet Allahut të Lartësuar.

Eroll Nesimi

—————————–

[1] Shejh Albani

[2] Muslimi

[3] Muslimi