Pyetja:

Nëse janë të pranishme shumë motra dhe i jepet njërës këshillë, a është gabim kjo këshillë e dhënë pa qëllim nënçmimi?

Përgjigja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Fatkeqësisht shumë njerëz i përziejnë gjërat në lidhje me këshillën. Ata nuk bëjnë dallim mes këshillës dhe kritikës ose mes këshillës e përgojimit, madje disa e përziejnë këshillimin edhe me shpifjen ndaj të tjerëve. Ibën Kajimi i cek këto dallime, prandaj është shumë e qëlluar të kthehemi aty. Ai ndër të tjera thotë: “Këshilla (nasihati) është mirësjellje ndaj personit që e këshillojmë duke shfaqur mëshirë dhe dhembshuri ndaj tij”. Me këtë përkufizim kuptojmë se këshilla është reflektim i shpirtbutësisë, dhembshurisë dhe humanizmit që kemi ndaj njerëzve që këshillojmë. Pra ajo prej fillimi deri në fund është mirësi e sinqertë, në të cilën nuk ka vend për diçka tjetër. Prandaj njeriu i cili dëshiron ta këshillojë dikë për ndonjë vepër, atëherë duhet të hulumtojë mënyrën më të mirë dhe më të pranueshme për ta bërë këtë, pasi ai këtë e bën për shkak se e do atë person dhe i do të mirën atij, për dallim nga kritika apo qortimi. Këto të fundit, edhe nëse mund të pretendohet se synohet evitimi i ndonjë mangësie, nuk reflektojnë mëshirë dhe zemërbutësi ndaj personave që u drejtohemi. Kritika dhe qortimi manifestojnë pakënaqësi për gabimet e të tjerëve, pastaj ato përdoren edhe si masë ndëshkimore për të mos përsëritur gabimin, por shumë shpesh përdoren edhe për të nënçmuar dhe zhvlerësuar personalitetin e të tjerëve. Ndërsa këshilla duhet të jetë shumë larg këtyre gjërave.” [1]

Pas këtij sqarimi të nevojshëm, themi se nga gjërat e rëndësishme gjatë këshillës është që kjo të bëhet në vetmi dhe jo në praninë e të tjerëve. Pa dyshim, nëse këshilla jepet sy në sy, pa praninë e të tjerëve, atëherë do të jetë më e pranueshme, aludon për sinqeritet dhe largon çdo keqkuptim.
Këshilla haptas dhe në masë është përulje dhe zhvlerësim i personalitetit të personit të cilit i drejtohet këshilla. Imam Shafiu thotë: “Kush e porosit vëllanë e tij fshehurazi, ai e ka këshilluar dhe përmirësuar atë. Ndërsa kush e porosit haptas, ai e ka turpëruar dhe përulur atë.”

Prandaj, motër e nderuar, ju porosisim që të keni parasysh se njerëzit nuk kanë dëshirë që të tjerët të dinë për dobësitë e tyre dhe ne duhet ta dimë se nëse dëshirojmë të jemi të efektshëm me këshillat tona, atëherë le ta respektojmë këtë dhe le të këshillojmë duke mos lënduar dhe le ta bëjmë këtë me mënyrat më të pranueshme.

Mund të ekzistojnë disa raste në të cilat këshilla haptas apo në masë do të ishte e arsyetuar, por kjo bëhet vetëm në disa raste specifike, për të cilat nuk do të flasim tani. Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi

—————-
[1] Ibn Kajimi, “Shpirti”