Pyetja:
Jam një vajzë me shkollim të lartë që e kam një ofertë për martesë. Djemtë që më pëlqejnë mua e që zakonisht i njoh në fakultet, qytet, internet, më ofrojnë zina. Kurse djemtë që nuk më pëlqejnë dhe me shkollim të ulët (edhe më herët, edhe tani për momentin e kam një ofertë të tillë) e që i njoh përmes të njoftuarve, më ofrojnë martesë. Unë e kam të vështirë që të vendosi të martohem në kohën e sotme, sepse shumica e të rinjve po preferojnë zbavitjen (zinanë) në vend të martesës, po shkojnë sipas sistemit evro-perëndimor. Dy herë kam falur namaz istihare sa i përket kësaj oferte që kam. Unë e di se zinaja është mëkat shumë i madh, prandaj po i shmangem vazhdimisht. Por më intereson të di se a është mëkat nëse e marr këtë djalë, por me mendimin paraprak se pas disa muajsh ose pas një kohe do ta lë sepse nga përshtypja ime nuk ka gjasa të më pëlqejë dhe të jem e kënaqur me të ndonjëherë. Pra ta bëj këtë vetëm për të mos rënë pre e zinasë dhe t’i bëj punët e caktuara (shfryrjen e epshit) në mënyrë të ligjshme? Pra, a bën që ta marr këtë djalë me prapamendime negative dhe ai djalë të mos e kuptojë kurrë, duke shpresuar se jeta e përbashkët do t’i ndryshojë gjërat dhe duke pasur parasysh se fundin e gjërave e di vetëm Allahu xh.sh.?
***
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Motër e nderuar, nga parashtrimi i pyetjes suaj kuptojmë se ju vazhdimisht krijoni shoqëri e kontakte me meshkuj të huaj dhe për ju kjo nuk shkakton pengesë. Vërtet kjo në vetvete është problem. Përzierja pa pengesë, lirshëm, mes dy gjinive dhe futja në biseda duke shprehur ndjenjat e emocionet e ndërsjella është një veprim i ndaluar. Në Islam çdo lloj kontakti i panevojshëm dhe çdo shoqërim në mes dy gjinive të kundërta është i papranuar. Shoqëria me mashkull të huaj shkakton probleme të shumta për arsye se secili nga ata dy, mashkulli e femra, nuk mund t’u kundërvihen ndjenjave të tyre, që tashmë i kanë kultivuar me kontakte, biseda, shikime, etj. Prandaj kontaktet e këtilla janë rrugë me të cilën shejtani e fut besimtarin në mëkate hap pas hapi, Allahu i Lartësuar thotë: “O ju të cilët besuat, mos shkoni gjurmëve të djallit, sepse kush ndjek gjurmët e djallit ai urdhëron për të shëmtuara e të irituara…” (Nur, 21)
Prandaj, së pari ju këshillojmë që t’i verifikoni sjelljet që manifestoni dhe të kuptoni se këto forma kontaktesh nuk janë sipas dispozitave islame.
Ndërsa në lidhje me zgjedhjen e burrit të ardhshëm dhe se çfarë kriteresh duhet të plotësojë ai, themi se është e natyrshme që të përcaktoni në vetvete disa parime rreth burrit tuaj të ardhshëm, por ta dini se në këtë botë nuk ka njerëz të përsosur në të gjitha pikëpamjet. Për këtë, le të jetë te ju kriteri primar që personi i cili kërkon dorën tuaj të jetë një besimtar i devotshëm, i cili fillimisht është i drejtë me Krijuesin e tij dhe është mirënjohës ndaj Tij dhe ta dini se ai do të jetë mirënjohës dhe respektues edhe ndaj gruas së tij. Nëse në këtë kriter nuk lëshoni pe, atëherë ta dini se të gjitha të tjerat mund të vijnë pas kësaj, por nëse këtë e shpërfillni, atëherë dijeni se do të bëni zgjedhje të paqëlluar.
Gjithashtu dijeni se martesa, ashtu si është rrugë për të shpëtuar nga rënia në mëkate, siç e kërkoni edhe ju, është edhe përgjegjësi dhe nuk është provim i fatit (ta provoj se si do të shkojë kjo lidhje e imja me këtë burrë). Prandaj duhet ta keni të qartë se me martesë lindin edhe përgjegjësi të ndryshme dhe duhet të jeni e gatshme për kompromise, ballafaqim me probleme dhe detyra të reja.
Alaudin Abazi