Pyetja:

Më parë kam lexuar një hadith që tregon se dy engjëjt do t’i harrojnë mëkatet e atij që pendohet. Në hadith thotë: “Nëse besimtari pendohet sinqerisht, Allahu do ta dojë atë dhe do t’i fshehë (të këqijat e tij) në këtë botë dhe në ahiret.” Unë (transmetuesi) thashë: “Si do t’i fshehë Ai (të këqijat e tij)? Ai tha: “Ai do t’i bëjë që dy engjëjt e Tij të harrojnë atë që kishin regjistruar për mëkatet e tij, dhe Allahu do t’i frymëzojë aftësitë e tij fizike që t’i fshehin mëkatet e tij dhe do të frymëzojë vende në tokë për t’i fshehur mëkatet që ai bënte në ato vende. Pra, ai do të takohet me Allahun, kur ta takojë Atë dhe nuk do të ketë asgjë që të dëshmojë se ai ka bërë mëkat.” Sa i vëretë është ky hadith? A do t’i harrojnë dy engjëjt mëkatet e mëdha të personit, nëse ai ka bërë mëkate të mëdha, për shembull, nëse ka bërë veprën e popullit të Lutit (homoseksualitetin) ose ka bërë zina? Apo ky hadith i referohet vetëm mëkateve të vogla? Shpresoj se do të jepni një përgjigje të hollësishme dhe të gjatë.

***

Përgjigjja:

Falënderimi i takon Allahut.

Nuk kemi hasur në ndonjë isnad (zinxhir transmetuesish) për këtë hadith; përkundrazi është një raport që gjendet në librat e shiitëve rafidi.

Por tekstet e shpalljes tregojnë qartë se pendimi i sinqertë është i dashur tek Allahu i Lartësuar dhe Allahu e do atë që pendohet sinqerisht.

Allahu i Lartësuar thotë: “Pa dyshim, Allahu i do ata që pendohen fort (për gjynahet) dhe ata që pastrohen.” (Bekare: 222).

Kur Allahu i Lartësuar e do një njeri, atëherë padyshim që do ta duan edhe engjëjt e Tij.

Ai që pendohet sinqerisht, i frikësohet Allahut të Lartësuar, Allahu do t’i bëjë rrugëdalje nga pasojat e mëkateve të tij, qofshin ato dy engjëjt që ia kujtojnë mëkatet ose i harrojnë ato, sepse engjëjt nuk kanë të bëjnë me atë që Allahu fal një person apo jo.

Allahu i Lartësuar thotë: “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi).” (Talak: 2)

Shejhul Islam Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) ka thënë:

“Ky ajet ka kuptim të përgjithshëm dhe përfshin të gjithë ata që i frikësohen Allahut… Nëse Allahu e udhëzon atë, atëherë Ai e bën atë të dijë të vërtetën dhe e frymëzon atë të pendohet, dhe ai pendohet, atëherë ai që pendohet nga mëkati është si ai që nuk ka bërë  mëkat. Në atë rast, ai do të përfshihet në mesin e atyre që i frikësohen Allahut dhe kështu do të meritojë që t’i jepet një rrugëdalje nga Allahu. Profeti ynë Muhamed ﷺ është profeti i mëshirës dhe dhembshurisë; kushdo që pendohet nga mëkati dhe kthehet tek Ai do të gjejë mëshirë, sipas mësimeve të tij.” [1]

Dhe Allahu e di më së miri.

islamqa.info

—————-

[1] Mexhmu’el-Fetava (33/34-35)