Pyetja: Kam pasur një abort para një muaji e gjysmë dhe gjatë kësaj kohe cikli më është çrregulluar, duke më ardhur tri herë. Gjinekologja ka thënë që është cikël aborti. Për shkak të këtij çrregullimi nuk kam qenë duke falur namazin. Nuk e di çfarë të bëj. A duhet të falem apo të pres derisa të rregullohet cikli?

Selam alejkum we rahmetullah we berekatuhu

Përgjigja: Sa i përket pyetjes rreth abortit dhe çrregullimit të ciklit pas tij, bëjmë dua që Allahu ta shpërblejë për durimin në këtë sprovë, t’i falë gjynahet dhe t’i ngritë shkallët në botën tjetër. Allahu e zbutë mërzinë tuaj dhe e kompensoftë me të mirat e kësaj dhe asaj bote.

Në lidhje me çrregullimin e ciklit pas abortit, fillimisht duhet të theksohet se nëse aborti ndodh para se embrioni të mbushë 92 ditë në bark (pra kur embrioni ende nuk ka marrë formën e plotë të njeriut), dijetarët thonë se gjaku që vjen pas abortit nuk llogaritet si gjak i lehonisë, por si gjak që lidhet me çrregullimin e shtatzanisë.

Sa i përket ciklit menstrual, nëse cikli vjen në ditët dhe kohën e rregullt të tij, kjo nënkupton që koha e ciklit ka filluar dhe cikli është rikthyer pas shtatzanisë. Në rastin e përmendur, ku brenda muajit cikli ka ardhur tri herë, mënyra më e mirë për ta kuptuar nëse është cikël apo jo është të shqyrtohen vetitë e gjakut. Gjaku i ciklit dallon nga gjaku tjetër përmes tri elementeve kryesore:

  1. Aroma: Gjaku i ciklit ka një erë specifike, ndërsa gjaku tjetër ose nuk ka erë fare, ose ka një aromë shumë të dobët.
  2. Ngjyra: Gjaku i ciklit është me ngjyrë më të errët, shpesh gati si ngjyra kafe, ndërsa gjaku tjetër ka ngjyrë të kuqe të çelur.
  3. Trashësia: Gjaku i ciklit është më i hollë dhe nuk trashet, ndërsa gjaku që nuk është cikël mund të trashet.

Nëse gjaku ka këto cilësi, atëherë ky gjak konsiderohet cikël, edhe pse cikli mund të shfaqet më shpesh për një periudhë të caktuar derisa trupi të rikuperohet dhe cikli të stabilizohet si më parë(dmth para shtatzanisë)

Burimi: pergjigje.net

Hoxhë Dr. Rasim Haxha