Pyetja:
Siç është e njohur në hadith të saktë nga Profeti ﷺ, se kush e kap tekbirin fillestar për 40 ditë, do t’i shkruhen atij dy siguri: nga hipokrizia dhe nga zjarri (i xhehennemit). A e ka edhe gruaja këtë shpërblim?
***
Përgjigjja:
Së pari ka një hadith të dobët me këtë tekst: “Kush e arrin tekbirin fillestar për 40 namaze në xhaminë time…” Dhe ky hadith është shndërruar në sunet te disa prej haxhilerëve dhe atyre që kryejnë Umren. Saqë ata prenotojnë hotelet në Medine, për aq kohë sa duhet për të falur 40 namaze në xhaminë e Profetit ﷺ në veçanti vëllezërit tanë turq. Mbështetja e tyre është te ky hadith dhe ai është i dobët.
Hadithi i saktë është: “Kush e kap namazin që nga tekbiri fillestar 40 ditë – dhe jo 40 namaze dhe kjo nuk është e veçantë për Medinen (qytetin) e Profetit ﷺ – do t’i shkruhen atij dy siguri: nga zjarri dhe nga hipokrizia.”
Uallahi është me vend dhe shumë e rëndësishme që njeriu të bëjë në jetën e tij një projekt të tillë që e shpëton atë nga zjarri dhe nga hipokrizia. Të falësh 40 ditë dhe ta kapësh namazin që nga fillimi i tij, nga tekbiri fillestar.
Disa prej të parëve tanë të mirë, si puna e tabiinit Seid ibnul Musejjib dhe të tjerë veç tij, kur thërritej ezani ndodheshin në xhami. Kur u pyet për këtë gjë tha: “Ezani është për të pa vëmendshmit.” Muezini thërret dhe përkujton ata që janë të pakujdesshëm ndaj kohës së namazit, ndërsa ai që nuk është i pavëmendshëm nuk ka nevojë për ezanin.
A e ka edhe gruaja këtë shpërblim? Në mënyrë të prerë PO. Nëse gruaja i ruan namazet e saj dhe i fal ato në fillim të kohëve të tyre – dhe namazi më i dashur për Allahun është ai që falet në fillim të kohës së tij (sh.p., përveç jacisë e cila preferohet të vonohet, siç ka ardhur nga suneti i saktë) -, pasi të sigurohet se ka hyrë koha e namazit. Dhe dije se rregulli që është i njohur tek fukahatë (dijetarët e rregullave të fesë), është: Gratë dhe burrat janë njësoj në shpërblime. Dhe namazi i gruas në shtëpinë e saj është më i mirë se namazi i saj në xhami.
Shejh Mesh’Hur Hasen
Përktheu: Emin Bilali