Pyetja:
Në lidhje me ajetin Kuranor në vijim do të dëshiroja të dija a ekziston ndonjë hadith rreth kësaj ngjarjeje: “E kështu Ibrahimit ia mundësuam t’i shohë madhësitë e qiejve e të tokës për t’u bërë edhe më i bindur.”(6:75)
***
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Sa i përket ajetit për të cilin ju shtroni pyetjen, “E kështu Ibrahimit ia mundësuam t’i shohë madhësitë e qiejve e të tokës për t’u bërë edhe më i bindur.” (En’am, 75), komentuesit e Kuranit kanë dhënë mendime të ndryshme, mirëpo ato mund të përmblidhen duke thënë: Pasi Allahu i Lartësuar ia dha mundësinë të Dërguarit Ibrahim t’i shohë të këqijat që bënin babai dhe populli i tij, respektivisht adhurimin e idhujve, ia dha atij mendjemprehtësinë në fe, Allahu ia mundësoi atij t’i shohë edhe madhësinë, mbretërinë e qiejve dhe të tokës, si Diellin, Hënën, yjet, kodrat, pemët, detet.
Ndërsa fjala e Allahut: “…për t’u bërë edhe më i bindur”, ka kuptimin që të argumentohet me ato (krijesat e Allahut) dhe të jetë prej atyre të cilët vërtetojnë Njëshmërisë e Allahut të Lartësuar.
Kësisoj që të jetë edhe më i bindur dhe të bëhet prej atyre që i besojnë Allahut vendosmërisht. Lidhur me këtë ajet komentuesit e Kuranit, si Taberiu, Kurtubiu, Ibn Kethiri dhe të tjerë kanë përmendur edhe thënien e Muxhahidit, Atait, Seid b. Xhubejrit dhe të tjerëve të cilët thonë: “Ibrahimit i janë hapur qiejt dhe ka shikuar çka ka në to, derisa shikimi i tij përfundoi tek Arshi, i janë hapur shtatë palë tokë dhe shikoi çka ka në të.”
Disa të tjerë kanë shtuar edhe këtë: “Filloi të shikojë robërit të cilët bënin mëkate dhe bëri lutje kundër tyre. Allahu i tha: “Unë jam më i Mëshirshëm se ti ndaj robërve të Mi; me shpresë se ata do të kthehen dhe të pendohen.”
Lidhur me këtë Ibn Merdevejh ka transmetuar dy hadithe të të Dërguarit të Allahut ﷺ, nga Muadhi dhe Ali b. Ebi Talibi, mirëpo zinxhiri i transmetuesve nuk është i saktë. Allahu e di më së miri!
Almedin Ejupi
Burimi: klubikulturor.com
www.islamifejaevertete.com