Pyetja:

A është e lejuar marrja e dorës? (Është fjala kur të jesh nuse siç është te ne zakon të mirret dorë).

***

Përgjigjja:

Jo, nuk është e lejuar motër, ngase gjatë marrjes së dorës bëhet një gjysmë përkulje (ruku) ndaj njerëzve dhe kjo është e ndaluar të bëhet ndaj njerëzve ngase kjo përshëndetje është e veçantë për Allahun e Madhëruar.

Shejh Ibn Uthejmini ka thënë: Puthja e dorës në shenjë respekti, ndaj atyre që meritojnë respekt të veçantë, si prindi, plaku i vjetër, mësuesi etj. nuk ka ndonjë të keqe në këtë, nëse nuk rrjedh nga ajo ndonjë dëm, si pëlqimi i vetes nga ai që i puthet dora, apo mendimi i tij se ai kështu është në një pozitë të lartë. Nëse është kështu, atëherë ndalohet veprimi i saj. (Fetava Babul Meftuh 177)

Kështu që nëse marrjen e dorës e krahasojmë me puthjen e saj, atëherë mund të themi se lejohet nëse plotësohen kushtet e lartpërmendura. Edhepse në raste që mund t’i iket asaj, lënia e saj është më e mirë.

Ndërsa përulja që bëhet prej disa grave (nuseve të reja) gjatë marrjes së dorës është e ndaluar, ngase përulja i takon vetëm Allahut.

Komisioni i Përhershëm për Fetva ka deklaruar: Nuk lejohet që muslimani ta ulë kokën e tij gjatë përshëndetjes, qoftë kjo ndaj muslimanit apo jomuslimanit, ngase kjo është prej veprimeve të të huajve ndaj të mëdhenjve të tyre, dhe kjo i përngjanë rukusë, e rukuja është përshëndetje dhe madhërim që i takon vetëm Allahut. (Fetava 6779)

Allahu e di më së miri.

Muhamed Dërmaku