Pyetja:

A është e lejuar ta vonosh namazin për ta zgjidhur problemin mes dy njerëzve?

***

Përgjigjja:

Lavdi i takon Allahut. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Pejgamberin ﷺ.

Nëse muslimani përpiqet t’i pajtojë dy persona ose dy grupe ndërsa hyn koha e namazit dhe ai druan se, po u tërhoq për ta falur namazin, njerëzit mund të shpërndahen pa u arritur pajtimi, atëherë s’është gjë që ta shtyjë faljen e namazit me xhematin e parë dhe të falet më pas me një xhemat tjetër ose vetëm. Kjo është një arsye për mosfaljen e namazit me xhemat ose vonimin e tij. Sehl ibn Sa’d (Allahu qoftë i kënaqur me të!) pati një mospajtim mes disa personave të Benu Amr ibn Auf dhe Pejgamberi ﷺ, së bashku me disa sahabë, shkuan tek ata për t’i pajtuar. Kur hyri koha e namazit, Pejgamberi ﷺ nuk erdhi në xhami. Bilali (Allahu qoftë i kënaqur me të!) erdhi dhe thirri ezanin, por Pejgamberi ﷺ nuk u shfaq. Kështu, Bilali shkoi te Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dhe i tha: “Pejgamberi ﷺ u pengua (nga ndonjë çështje) dhe ka hyrë koha e namazit. A do të na udhëheqësh në namaz?” Ai u përgjigj: “Po, nëse do.” Bilali bëri ikametin dhe Ebu Bekri doli që t’i udhëhiqte në namaz. [1]

Nëse ke të bësh me një namaz që mund të bashkohet me namazin që vjen pas tij, siç është namazi i drekës, i cili mund të bashkohet me atë të ikindisë, ose ai i akshamit, i cili mund të bashkohet me atë të jacisë, atëherë mund ta bashkosh me namazin e radhës dhe s’ka gjë të keqe që ta shtysh e t’i falësh dy namazet së bashku. Suneti na tregon se është e lejueshme t’i bësh bashkë dy namaze, nëse ka një arsye për këtë, edhe nëse gjendesh në shtëpi dhe nuk je udhëtar. Ibn Rexheb tha: “Ahmed ibn Hanbeli ka thënë se është e lejueshme t’i bësh bashkë dy namaze në rast se je i angazhuar në ndonjë punë që kërkon zgjidhje të menjëhershme. Dhe është përcjellë nga Ibn Sirin se ka thënë: ‘S’ka gjë të keqe që t’i bësh bashkë dy namaze së bashku, kur për këtë ka nevojë, për sa kohë që kjo të mos kalojë në shprehi.” [2] Për sa i përket shtyrjes së namazit derisa t’i kalojë koha dhe ti nuk e bashkon me namazin e radhës atëherë kur mund të bashkohen, kjo s’është e lejueshme.

islamqa.info

————————-

[1] Buhariu (2690) dhe Muslimi (421)

[2] Ibn Rexheb, “Fet’h el-Baari” 3/93