Pyetja:

A është e lejuar të të shërbejë dikush tjetër me ujë për abdest?
Lexova kushtet e abdestit dhe hollësitë e tjera që ju ofruat në faqen tuaj, por nëse nuk gaboj, nuk munda ta gjej përgjigjen për këtë pyetje. Kam shpalosur në disa vende, mirëpo nuk kam hasur në asnjë hadith dhe asnjë mendim dijetari në lidhje me pyetjen, d.m.th. vetëm nga gjuha e popullit. Allahu ju shpërbleftë për të gjitha!

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, mbi shokët dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Në disa libra të fikhut përmendet se është e urryer (mekruh) që të marrim abdest duke na shërbyer dikush me derdhjen e ujit mbi pjesët që pastrohen gjatë abdesit. Mirëpo kjo nuk është e qëlluar dhe nuk është e drejtë që ky veprim të quhet mekruh, pasi thënia “është mekruh” në këtë rast është vërtetim i një dispozite duke mos e mbështetur atë në ndonjë citat dhe argument.
Në të kundërtën, për këtë veprim kemi argument që vërteton se kjo gjë është e lejuar. Buhariu shënon se sahabi Mugire Ibën Shube me një rast ishte në udhëtim me Muhamedin salallahu alejhi ue selem dhe ai mori abdest duke i hedhur ujë Mugireja.
Kjo e tëra është në rast se ai i cili merr abdest është shëndosh dhe nuk është i sëmurë, por nëse është i sëmurë dhe has në vështirësi që të marrë abdest vetëm, atëherë është e kërkuar që ai të ndihmohet. Allahu e di më së miri!

Hoxhë Alaudin Abazi