Pyetje:
Kam hemorroide. Çfarë duhet të bëj që namazi im të jetë i vlefshëm?
Përgjigje:
Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë Allahut, Zotit të botëve. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi ﷺ është robi dhe i Dërguari i Tij.
Së pari:
Hemorroide quhet zgjerimi i venave rreth hapjes së anusit, dhe ato mund të jenë të brendshme apo të jashtme. Zgjerimi i venave në pjesën e jashtme të anusit shkakton hemorroide të jashtme, ndërsa zgjerimi i venave të pjesës së brendshme shkakton hemorroide të brendshme.
Së dyti – Rreth pastrimit (taharah):
Nëse hemorroidi është i jashtëm, nuk e prish abdesin dhe ka të njëjtin gjykim si plagët apo qelbëzimet. Personi duhet të pastrojë rrobat dhe trupin e tij, por nëse kjo i shkakton vështirësi të madhe, atëherë nuk është i detyruar t’i lajë apo t’i ndërrojë rrobat, për t’iu shmangur vështirësisë.
Nëse hemorroidi është i brendshëm dhe gjaku del jashtë:
• Nëse gjakderdhja është ndërprerëse, atëherë ajo e prish abdesin sa herë që del gjaku.
• Nëse është e vazhdueshme, atëherë sipas shumicës së dijetarëve, ai merr abdes pasi të hyjë koha e namazit, dhe gjykimi i tij është si ai i personit që vuan nga inkontinenca( (rrjedhje të pavullnetshme të urinës) urinare apo nga istihada (gjakderdhje jo-menstruale).
Yahya ibn Sa’id el-Ensari u pyet për një njeri që i dilnin hemorroidet dhe i shtynte brenda me dorë. Ai tha:
“Nëse ai detyrohet ta bëjë këtë çdo herë, nuk ka detyrim tjetër përveç larjes së dorës. Nëse kjo ndodh shpesh dhe është e vazhdueshme, atëherë nuk mendojmë se është i detyruar të lajë dorën. Është si një fatkeqësi që e ka goditur dhe ai është i justifikuar, si ai që ka një plagë.”
— El-Mudevvene, fq. 121.
Ibn Ebi Shejbe transmeton në el-Musannef (1/164) nga esh-Sha’bi se, kur u pyet për një burrë me hemorroide, ai tha: “Le të falet edhe nëse gjaku i rrjedh nga koka deri në këmbë.”
Imam Neveviu rahimahullah ka thënë:
“Nuk detyrohet të marrë abdes në rast dëmtimi apo hemorroide, përveç nëse gjaku vjen nga pjesa e brendshme, sepse në këtë rast ai e prish abdesin.”
— El-Mexhmu’ (2/541).
Së treti – Rreth namazit:
Nëse ai është në gjendje të qëndrojë në këmbë, është i detyruar të falet në këmbë, sepse qëndrimi në këmbë në namazin farz është shtyllë e namazit dhe dijetarët janë unanimë për këtë.
Nëse nuk mund të qëndrojë në këmbë për shkak të sëmundjes, atëherë falet ulur.
Nëse nuk mundet as ulur, atëherë falet i shtrirë në njërin krah.
Kështu e mësoi Profeti ﷺ sahabiun ‘Imran ibn Husajn radijAllahu anhu, i cili vuante nga hemorroidet.
U transmetua nga ‘Imran ibn Husajn radijAllahu anhu se ka thënë: “Kisha hemorroide dhe e pyeta Profetin ﷺ për namazin. Ai tha: ‘Falu në këmbë, e nëse nuk mundesh, atëherë ulur, e nëse nuk mundesh, atëherë i shtrirë në krah.” (Transmeton Buhariu (1066).
Ai që falet ulur ose i shtrirë nuk humbet shpërblimin e plotë.
Abu Musa el-Esh’ari radijAllahu anhu transmeton se Profeti ﷺ ka thënë:
“Nëse robi sëmuret ose udhëton, atij i shkruhet shpërblimi i veprave që bënte kur ishte shëndoshë dhe jo në udhëtim.” (Transmeton Buhariu (2834).
Allahu e di më së miri.
Burimi: islamqa.info / Solli në gjuhe shqipe pergjigje.net




