Pyetja:
Unë e lexoj Kuranin dhe kur mbërrij aty ku përmenden cilësitë e besimtarëve, e lus Allahun të më bëjë prej tyre; kur mbërrijë aty ku përmenden cilësitë e jobesimtarëve dhe të hipokritëve dhe fati i tyre, kërkoj shpëtim te Allahu nga të qenët si ata. Pasi të bëjë dua, a duhet ta them prapë bismilah, apo të vazhdojë të lexojë pa e bërë këtë? A është e lejueshme të ndërhyj në leximin tim duke bërë dua?
***
Përgjigjja:
Kjo është e lejueshme dhe qe bërë nga Pejgamberi ﷺ. Kur ai falte namaz nate dhe vinte te një ajet i mëshirës, ai i kërkonte mëshirë Zotit të tij. Pra, s’ka gjë të keqe në këtë, madje kjo është e rekomandueshme, kur të falim namaz nate, kur të falemi ditën apo kur të lexojmë Kuran jashtë namazit.
Krejt kjo është e rekomandueshme dhe nuk ke nevojë ta përsëritësh besmelen apo fjalët me të cilat kërkon shpëtim te Allahu (eudhu bilahi …). Ti mund ta bësh këtë dua dhe të vazhdosh të lexosh, pa pasur nevojë të përsëritësh lutjen e kërkimit të shpëtimit te Allahu apo besmelen. Krejt kjo vlen, nëse falesh vetëm në një namaz nafile (të vullnetshëm).
Por, nëse fal një namaz të detyrueshëm, nuk është vërtetuar se pejgamberi ﷺ e bënte këtë në namazet e detyrueshme (farz). Pra, nëse falesh me imam, ti duhet ta dëgjosh me vëmendje imamin dhe të mos bësh dua ndërsa imami është duke kënduar. Por, ti duhet të heshtësh dhe të dëgjosh me vëmendje në namazet ku Kurani recitohet zëshëm. Në namazet ku recitohet në heshtje, ti duhet ta recitosh Fatihan dhe çfarë të mundesh nga Kurani, pa bërë dua të cilën e bën në namazet nafile, sepse i Dërguari ﷺ nuk e bënte këtë në namazet e detyrueshme.
Ndoshta, arsyeja për këtë – dhe Allahu e di më së miri – është që t’u lehtësohet njerëzve dhe të mos zgjatet së tepërmi namazi, sepse, sikur të bënim dua te çdo ajet ku përmendet mëshira dhe të kërkojmë shpëtim te çdo ajet ku ka kërcënim, namazi do të zgjatej së tepërmi dhe do t’u vështirësohej njerëzve. Është nga mëshira e Allahut dhe butësi e Tij ndaj robërve të Tij që nuk urdhëroi për këtë në namazet e detyrueshme, në mënyrën që do të ndërhyhej në namaz dhe kështu namazi të zgjatej së tepërmi për njerëzit. Por, në namazet e nafile, në namaz nate, në namazin e duhasë apo në namaze tjera nafile, s’ka gjë të keqe që ta bësh këtë, dhe në këtë çështje ka hapësirë të gjerë veprimi.
Shejh AbdulAziz bin Baz, Fetaua Nur ala el-Derb 1/334