Pyetja:

A është e obligueshme të shpërndahet mishi i akikas në qytetin ku jeton fëmiu, apo lejohet të shpërndahet edhe në ndonjë qytet tjetër?

***

Përgjigjja:

Lejohet shpërndarja e mishit të akikës në qytetin ku jeton fëmija ose në një qytet tjetër. Çështja ka një shtrirje të gjerë.

Shejh Ibn Uthejmini ka thënë:

“Sa i përket mënyrës se si hahet dhe shpërndahet akika: Prindi mund të hajë një pjesë të tij dhe t’i japë disa si dhuratë ose për bamirësi. Nuk ka asnjë pjesë të caktuar për t’u zgjedhur në këtë drejtim; kështu që ai mund të hajë çfarë të dojë prej saj, të japë çfarë të mundet si dhuratë dhe të japë sadaka çfarë të mundet. Nëse dëshiron, mund të mbledhë të afërmit dhe miqtë e tij, qoftë në qytetin ku jeton, qoftë jashtë qytetit. Por në këtë rast, është thelbësore t’u jepet të varfërve një pjesë të saj. Nuk ka asgjë të keqe ta gatuash dhe ta shpërndash pasi të jetë gatuar, ose ta shpërndash të papërpunuar. Çështja ka një shtrirje të gjerë.” [1]

Përkundrazi, dijetarët kanë mendime të ndryshme në lidhje me vendin më të mirë për therjen e tij: a është më mirë të therret në qytetin ku jeton fëmija, apo në qytetin e babait, nëse ai banon në një qytet tjetër?

Ky dallim i mendimeve ka të bëjë me atë që është e preferueshme, jo nëse është e lejuar.

Ibn Haxher el-Hajtemi ka thënë: Ndoshta mund të therret në qytetin ku jeton fëmija, në analogji me zekatin e fitrit, i cili duhet dhënë në qytetin ku ndodhet personi; sa për mua, e favorizoj pikëpamjen që të therret në qytetin ku jeton ai që bën akika (babai apo dikush tjetër), sepse është ai që i drejtohet urdhri. [2]

Shejh Ibn Xhibrini favorizoi pikëpamjen se më e mira është që ajo të theret në qytetin ku jeton fëmija. Ai u pyet: ‘A mund të theret akika në qytetin ku jeton babai i fëmijës, apo duhet të bëhet në qytetin ku ka lindur fëmija? Ju lutemi jepni argument, nëse është e mundur.’

Ai u përgjigj:

“Më e mira është që ajo të bëhet në qytetin ku jeton fëmija. Nëse babai jeton në një qytet tjetër, ai duhet të dërgojë pagesën e akikës dhe të caktojë dikë që ta therë atë dhe t’i ftojë njerëzit ta hanë atë, pasi kjo do t’i shtyjë njerëzit të bëjnë lutje për fëmijën, për bekim për të e kështu me radhë. Dhe Allahu e di më së miri”

Shejh Albani u pyet: ‘A është e përcaktuar që akika të theret në qytetin ku jeton fëmija?’

Ai u përgjigj: “Jo. Dijetarët theksuan një çështje të rëndësishme që ka të bëjë me akikën dhe kurbanet (udhijeh), e cila është se nuk duhet t’i dërgohen para dikujt që do të blejë një dele me të dhe do ta therë në një qytet tjetër, me arsyetimin se njerëzit atje janë të varfër. Përkundrazi, ajo që kërkohet nga muslimani është që ta therë vetë atë, ose të jetë i pranishëm kur të theret, në mënyrë që të ndjejë se po i afrohet Allahut, përmes këtij kurbani, dhe se çështja nuk është thjesht tek dhënia e parave në bamirësi dhe neglizhimi i ritualeve të Islamit.”

Shejh Ibn Uthejmin u pyet:

Cili është gjykimi i shpërndarjes së akikës jashtë qytetit? Familja nuk ka nevojë për mishin e kësaj akikaje dhe ata janë në gjendje të therin një kafshë tjetër në qytet.

Ai u përgjigj:

“Do të doja të shfrytëzoja rastin e kësaj pyetjeje për t’u shpjeguar vëllezërve këtu dhe atyre që po dëgjojnë se qëllimi i therjes së kurbaneve – qoftë akika, hadij apo udhijeh – nuk është marrja e mishit apo përdorimi i tij. Marrja e mishit është një çështje dytësore. Përkundrazi, qëllimi i kësaj vepre është afrimi me Allahun duke bërë kurban. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Sa i përket mishit, Allahu i Lartësuar thotë: “Mishi i tyre nuk arrin tek Allahu, as gjaku i tyre, por ajo që arrin tek Ai është përkushtimi juaj.” (Haxh: 37)

Pasi ta kuptojmë këtë, do të na bëhet e qartë se ata që dërgojnë para për t’u ofruar udhije në emër të tyre në një vend tjetër, ose për t’u ofruar akika për fëmijët e tyre në një vend tjetër, gabojnë, sepse ata që e bëjnë humbasin atë që ka rëndësi. Në fakt, ata po humbasin qëllimin më të rëndësishëm të këtij rituali, që është afrimi me Allahun duke bërë kurban. Ju nuk e dini se kush do të bëjë therjen; mund të bëhet nga dikush që nuk fal namaz, në këtë rast nuk do të jetë hallall; ose mund të bëhet nga dikush që nuk thotë Bismilah mbi të, kështu që nuk do të jetë hallall; ose mund të jetë i pakujdesshëm ndaj kurbanit dhe mund të blejë diçka që nuk është e pranueshme si kurban. Është gabim i rëndë të dërgosh para për të blerë kafshë për udhije ose akika në një vend tjetër. Ne themi: therni vetë, nëse është e mundur me dorën tuaj, ose caktoni dikë që ta bëjë këtë, dhe jini prezent në therje që të ndjeni se po i afroheni Allahut, duke e therur atë. Dhe që të mund të hani prej tij, sepse jeni të urdhëruar të hani prej tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Pra, hani prej tyre dhe ushqeni të mjerët dhe të varfërit.” (Haxh: 28)

Shumë nga dijetarët kanë thënë se është e detyrueshme që njeriu të hajë nga çdo kurban që ofron, në mënyrë që t’i afrohet Allahut, si hadij, akika e kështu me radhë. A mund të hajë prej tij nëse ther në një vend të largët? Jo.

Nëse dëshironi që vëllezërit tuaj në një vend të largët të përfitojnë, atëherë dërgojuni atyre para, dërgojuni atyre rroba, dërgojuni ushqim. Por sa i përket dërgimit të njërit prej ritualeve të Islamit në një vend tjetër, kjo është padyshim një akt injorance.” [3]

Shejh Salih el-Feuzan ka thënë:

“Muslimani duhet t’i therë vetë udhijen dhe akikën, në qytetin e tij dhe në shtëpinë e tij, të hajë prej tyre dhe të japë sadaka prej tyre. Ai nuk duhet të dërgojë vlerën e tyre (në para) që kafsha të blihet dhe të shpërndahet në një tokë tjetër, siç bëjnë thirrje disa kërkues të dijes ose njerëz të thjeshtë, me arsyetimin se në disa vende ka njerëz të varfër dhe nevojtarë.” [4]

Pra, është e qartë se ajo që ka rëndësi në rastin e akikës është që ai që ofron akika duhet ta therë vetë kafshën, ose të bëhet në praninë e tij, pastaj ai duhet të hajë një pjesë prej saj dhe të japë një pjesë prej saj bamirësi. Ai mund ta dërgojë mishin dhe ta shpërndajë kudo që dëshiron.

Dhe Allahu e di më së miri.

islamqa.info

———————————————-

[1] Fetva Nur ‘ala ed-Darb (228/5).

[2] El-Fetva el-Kubra (4/257).

[3] Lika’ el-Baab el-Maftuh (23/11).

[4] El-Muntaka min Fetaua el-Feuzan (50/10).