Pyetja:

Kam një problem me sinus, mirëpo çdo ditë kam kokëdhembje. Si t’ia bëj me agjërim, a është gjynah nëse më dhemb koka shumë me prish agjërimin vetëm atë dite?

***

Përgjigjja:

Ju duhet t’i merrni në konsideratë këshillat e mjekut specialistë, që është fetar dhe që e di mirë rëndësinë dhe obligueshmërinë e agjërimit. Nëse ai ju thotë të përdorni medikamente që ta parandaloni dhembjen dhe ka mundësi që ato të përdoren në syfyr, veproni ashtu dhe mos e neglizhoni përdorimin e tyre e pastaj të dobësoheni gjatë ditës kur agjëroni.

Nëse ndodh që për një arsye apo tjetër, gjatë ditës së agjërimit të keni dhimbje të madhe dhe shërimi mund të ndodh vetëm nëse përdorni ndonjë medikament apo ushqeheni, atëherë lejohet ta prishni agjërimin dhe ta kompenzoni atë ditë me një ditë tjetër jashtë ramazanit.
Por mos harroni se agjërimi i asaj dite në ramazan e ka shpërblimin më të madh se sa jashtë ramazanit, andaj nuk duhet që për pak durim më shumë ta humbni shpërblimin më të madh, pasi vet agjërimi është luftë me epshet dhe durim nga uria dhe etja, të cilat shpeshherë nuk janë të lehta, ashtu sikurse dhimbja.
Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku