Pyetja:

Po filloj t’ju shkruaj për hallet e mia. Jam në dert të madh. Kam 21 vjet dhe për as një vit nuk di të them se isha e lumtur. Ndihem e vetmuar por besoj në Zot, tek Ai mbështetem, fali 5 kohët e namazit dhe për këtë më ndihmon i dashuri im sepse ai gjithmonë kujdeset që unë të mos lë asnjë namaz dhe të mos bëj vepra të këqija sepse kam tentuar ta mbys veten s’di sa herë por i dashuri im më ka ndihmuar të mos bëj ashtu. Nuk më shkon mirë me askënd, nuk e di pse? Jam studente dhe kam banuar me disa shoqe të cilat kurrë nuk kanë bërë namaz, bile edhe mua më kanë penguar, por unë nuk e kam lënë namazin. Ato më kanë penguar me muzikë e me veshje që është jashtëzakonisht haram por unë iu kam lutur Zotit të më largojë nga ajo shoqëri dhe tani nuk jam me to. Jam vetëm, por dua një këshillë nga ju sepse mua më rri mendja vetëm tek vdekja. Nuk kam vullnet as të mësoj, as të punoj, as të dal dhe për asgjë tjetër pasi tërë ditën vetëm qaj. Prindërit e mi më thonë se më duan por mua më duket se jam pengesë për ta. Kam dy motra dhe dy vëllezër. Ata nuk më duan fare. Më largojnë nga vetja, nuk më flasin as për mirë e as për keq.

***

Përgjigjja:

Motër e nderuar! Shejtani është armik i përbetuar i njeriut, andaj duhet ikur nga thirrjet e tij për jetë të zymtë e pa besim. Allahu ka thënë: “Vallë, a nuk ju kam urdhëruar, o bijtë e Ademit, që të mos e adhuroni djallin, se ai është vërtet armik i hapët i juaji, por të më adhuroni vetëm Mua?! Kjo është rruga e drejtë. Sigurisht që ai (djalli) ka shpënë në humbje një mizëri prej jush; vallë a nuk po mendoni?! (Jasin, 6062)
Ju me gatishmërinë tuaj për ta ndjekur rrugën e shejtanit, i cili mbjell në ju pesimizmin, urrejtjen, monotoninë, depresionin, preokupimet etj., jeni në rrezik të devijoni nga rruga e drejtë e Allahut, ku është jeta, kënaqësia, rehatia, stabiliteti, dashuria etj. Me humbje nga rruga e Allahut nënkuptojmë se përveç humbjes së rehatisë dhe jetës stabile të kësaj bote, mund ta humbni edhe Ahiretin, Allahu ju ruajttë!

Besimtarja e cila falë namaz, sigurisht se beson fuqishëm në ringjallje dhe se njeriu nuk vdes përjetësisht. Atëherë shtrohet pyetja se çka do të fitojë njeriu me vetëvrasje?! A mund ta përfundojë jetën e tij, apo vetëm kalon në botën tjetër, nga e cila nuk mund të ik?! A ka mundësi që t’i shmanget përgjegjësisë dhe llogaridhënies para Allahut?! Assesi!

Atëherë vallë, jetën e kësaj bote duhet shfrytëzuar për ta siguruar jetën e ahiretit, apo duhet vënë veten në rrezik që të humben që të dyja.
Është absurde që gjithë njerëzit të urrejnë, e aq më pak familjarët e prindërit.

Vdekjen besimtari duhet kujtuar në çdo ditë. Ajo të bën të mos thellohesh në dashurinë e dynjasë dhe të bën që ta shtosh frikërespektin ndaj Allahut dhe t’i shtosh veprat e mira, të cilat vlerësohen pozitivisht në ahiret. I Dërguari i Allahut, ﷺ, ka thënë: “Lum për atë që është jetëgjatë dhe që bën vepra të mira.” [1]
Një njeri e kishte pyetur: O i dërguar i Allahut, ﷺ, cili njeri është më i miri? Tha: “Ai që është jetëgjatë dhe që bën vepra të mira.” Po kush është më i keqi? – e pyeti prapë. Tha: “Ai që është jetëgjatë dhe bën vepra të liga.” [2]
Por nëse paraqitet ndonjë vështirësi në jetë apo sprovë, nuk lejohet që ta kërkojmë vdekjen si dalje nga ai preokupim. I Dërguari i Allahut, ﷺ, ka thënë: “Mos ta dëshirojë askush prej jush vdekjen dhe mos të lutet që të vdes, para se vet t’i vijë vdekja! Padyshim se kur vdes dikush, i ndërpritet mundësia e veprimit. Vërtet jetëgjatësia besimtarit i shton vetëm hajr.” [3]

Po ashtu ka thënë: “Mos ta dëshirojë askush vdekjen, sepse ose je i mirë dhe i shton të mirat, ose je i keq dhe kthehesh në atë që të bën të kënaqshëm!” [4]
Në hadithin tjetër, që e transmeton Enesi, i Dërguari i Allahut, ﷺ, ka thënë: “Mos ta kërkojë vdekjen ndokush prej jush për shkak të ndonjë sprove që e ka kapluar! Nëse e ka patjetër ta bëjë këtë, le të thotë: “O Allah, më jep jetë sa jeta të është e dobishme për mua dhe më merr mua nëse vdekja është hair për mua!” [5]
Vazhdoni me namaz dhe me veprat e tjera që kërkohet t’i përfillësh! Shto njohuritë tua lidhur me Islamin dhe dorëzoju Allahut plotësisht, sepse Ai është më i miri ndihmëtar! Largohu nga shoqëria e keqe, nga veset e djallit dhe nga veprat e liga!
Në pyetjen tuaj përmendni se i dashuri ju ndihmon… Duhet t’i keni parasysh rregullat dhe parimet islame që kanë të bëjnë me fejesën dhe martesën, pra çka lejohet e çka nuk lejohet!

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku

———————————–

[1] Taberaniu

[2] Ahmedi dhe Tirmidhiu

[3] Muslimi

[4] Buhariu

[5] Buhariu dhe Muslimi