Pyetja:

A është gjynah të festohet ditëlindja dhe pse?
Unë kam lexuar në një libër islam, por nuk më kujtohet arsyeja se pse është gjynah.

***

Përgjigjja:

Është gjynah të festohet ditëlindja e kujtdo qoftë, sepse nuk kemi asnjë argument nga i Dërguari i Allahut ﷺ, e as nga gjeneratat e para, të cilët jemi të obliguar t’i ndjekim, se kanë vepruar një gjë të tillë. Edhe në kohën e tyre janë regjistruar gjërat dhe kanë pasur datat e njohura, por asnjë porosi e as traditë profetike nuk kemi që legjitimon festimin e ditëlindjes.

Në anën tjetër festimi i ditëlindjes me gjithë ceremoninë përcjellëse, si: qirinjtë, numri dhe fikja e tyre, kënga “happy birthday”, ftesa e mysafirëve, torta etj., të gjitha këto janë prej traditave të komuniteteve joislame, që obligohemi të mos i pasojmë. Pra, thjesht ndalohet festimi i ditëlindjes sepse është imitim i të tjerëve.

Allahu e di më së miri!

Hoxhë Muhamed Dërmaku