Pyetja:

A është gjynah të postojmë në mediat sociale fotografi me ushqim dhe pije në tavolinë?

***

Përgjigjja:

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit!

Allahu i Lartësuar ka thënë në Kuran: “… Hani e pini, por mos e teproni, se Ai nuk i do ata që e teprojnë.” (Araf: 31) Kurse të dërguarve të Tij, në veçanti, iu drejtua me këto fjalë: “O të dërguar! Hani nga të lejuarat dhe bëni vepra të mira! Vërtet, Unë e di mirë çfarë bëni ju!” (Muminunë: 51)
E, të kësaj natyre ka edhe ajete tjera në Kuranin Fisnik.

Ndërsa Pejgamberi ﷺ, i Dërguari i Mëshirës, ka thënë: “I biri i Ademit s’ka mbushur enë më të keqe se barkun e tij.” Madje, pikërisht për të mos u krekosur me ushqime, ai ﷺ gjithashtu na ka ndaluar që të hamë dhe të pimë në enë prej ari dhe argjendi, ngase ato janë për jobesimtarët në këtë botë, kurse për ne muslimanët në Botën Tjetër. Pejgamberi ﷺ gjithashtu na ka mësuar që një të tretën e lukthit ta mbushim me ushqim, një të tretën e dytë ta lëmë për ujë, kurse një të tretën e fundit ta lëmë të zbrazët për të pasur mundësi të marrim frymë lirshëm. E gjithashtu ka thënë: “Besimtari ha sa për të mbushur një zorrë, kurse jobesimtari ha për shtatë zorrë.” Pra, në këtë mënyrë Pejgamberi ﷺ na nxiste që të ushqehemi me masë dhe pa e tepruar, andaj, vallë çfarë mesazhi tjetër japin fotografitë e ushqimeve dhe pijeve përveçse të kundërtën e asaj të cilën na ka mësuar Pejgamberi ﷺ, gjegjësisht nxisin që njerëzit të përkujdesen shumë për barqet e tyre, madje të garojnë se kush përgatit ushqime më të mira e më të shijshme.

Ndonëse në parim nuk ka të keqe që një person t’i dërgojë mikut ose një familjari të afërt të tij një foto të ushqimit të tij, me qëllim të gëzimit të tij apo informimit të tij për të mirat e Allahut, e sidomos personave që ta duan të mirën, porse përhapja e kësaj dukurie siç po ndodh në kohën tonë, me shpërndarjen e këtyre fotove gjetiu nëpër rrjetet sociale, nuk është gjë e mirë, ngase publikimi i atyre fotografive mund të rezultojë në një lloj zilie që do të shfaqet tek personat që i shohin këto fotografi, saqë do t’i kenë zili ato bekime që Zoti ia ka dhuruar dikujt. E, publikimi i këtyre fotove po ashtu mund të thyejë zemrat e të varfërve dhe të shkretëve që s’kanë ndoshta as përafërsisht ushqim të mjaftueshëm në krahasim me atë që shohin në ato fotografi.

Pastaj, pronari i këtyre imazheve mund të bjerë në mëkatin e rijasë (syefaqësisë) duke i shfaqur çështjet e kësaj bote, jo me qëllim të mirë, por me qëllim të mburrjes dhe krenarisë, duke mos pasur për qëllim botën tjetër aspak. Citohet se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pejgamberi ka ndaluar nga (ngrënia) e ushqimit të dy konkurruesve (në ushqim).” [1] Pra, kishte për qëllim ushqimin që dy persona e përgatisin, me të vetmin qëllim që të mburren se cili prej tyre ka përgatitur ushqim më të mirë e më të shijshëm. Për këtë arsye kishte nga dijetarët që kur ftoheshin në gosti të tillë nuk i përgjigjeshin ftesës, për shkak të arrogancës dhe hipokrizisë së një gjëje të tillë.

Si përfundim: Muslimani duhet të ruhet nga gjëra të tilla të cilat mund të çojnë në atë që përmendëm më lart, madje preokupimi me këso gjërash të ulëta, më e pakta që mund të shkaktojë është prishja e burrërisë dhe gërvishtja e personalitetit të besimtarit dhe besimtares.

Allahu e di më së miri!

Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin ﷺ, familjen dhe shokët e tij!

Përgatiti: Hekuran Helshani

———————–

[1] Tirmidhiu