Pyetja:
Çfarë ndodh nëse e lëshojmë namazin e xhumasë. Falemi para namazit të ikindisë, a do ta falim atëherë namazin e drekës? Ose nëse kurrsesi nuk arrijmë ta falim para ikindisë, atëherë a duhet së pari ta falim namazin e drekës (me kaza), dhe pastaj ta falim namazin e ikindisë?
***
Përgjigjja:
Falja e namazit të xhumasë është detyrë e rreptë islamike (farzi-ajn) për çdo musliman i cili i plotëson kushtet e obligueshmërisë (është me moshë madhore, i mençur, i lirë, i shëndetshëm, ka mundësi të jetë i pranishëm, si dhe mos ta ketë statusin e musafirit).
Thotë Allahu i Lartësuar në Kuran:
“O besimtarë, kur të thirreni për namaz ditën e premte, nxitoni për ta përmendur Allahun (namazi i xhumasë), pezulloni shitblerjen; kjo është më mirë për ju, nëse e dini!” (Xhumu’a, 9)
Urdhëri imperativ nënkupton detyrimin e të urdhëruarit. Personi që e mohon detyrimin e xhumasë del nga feja. Ndërsa ai i cili nga pakujdesia e lëshon faljen e namazit të xhumasë, duke mos e mohuar obligueshmërinë e saj, bën mëkat të madh, por nuk mund të konsiderohet si i dalë nga feja, sikur edhe në rastin e namazeve të tjera. Mungesa e paarsyeshme dhe mosfalja e xhumasë është mëkat më i rëndë sesa mosfalja e namazeve të tjera.
Pejgamberi ﷺ në këtë drejtim thotë: “Nëse njerëzit nuk e ndërpresin mosfaljen e namazit të xhumasë, Allahu do t’ua vulosë atyre zemrat dhe do t’i lërë në gjumë të përjetshëm.” [1]
Në këtë kuptim është edhe ky hadith: “Kush i lë, pa asnjë arsye, tri namaze të xhumasë pa i falur, Allahu atij do t’ia vulosë zemrën.” [2]
Prandaj, muslimani është i detyruar të bëjë gjithçka që është në mundësinë e tij për ta kryer këtë farz. Qëndrimi i pakujdesshëm ndaj tij dhe mungesa e paarsyeshme, kryerësin e rrezikojnë të jetë i larguar nga mëshira e Allahut dhe t’i vuloset zemra. Në hadith nuk përmendet as kufri as dalja nga feja, por vetëm vërejtja dhe paralajmërimi për pasojat e rrezikshme të kësaj pakujdesie.
Nëse, për ndonjë arsye të justifikuar mungojmë nga namazi i xhumasë, jemi të detyruar ta falim namazin e drekës. Nëse një person nuk e fal namazin e drekës para skadimit të kohës së drekës, ai së pari do ta fal (me kaza) namazin e drekës, e pastaj e fal (me kohë) namazin e ikindisë. Por, nëse koha e ikindisë është në përfundim, atëherë më e rëndësishme është të falet ikindia në kohën e saj, e pastaj të falet dreka (me kaza).
Emin në BIH prof. dr. Enes Ljevakoviq
Përshtati: Miftar Ajdini
———————–
[1] Muslimi, Nesaiu, Ibni Maxhe, Ahmedi
[2] Nesaiu, Ebu Davudi, Tirmidhiu, Ibni Maxhe, Hakimi