Pyetja:

Unë posedoj një sasi ari, e cila sot ka vlerë të konsiderueshme, disa lira dhe stoli (byzylykë, unaza etj.). Gjatë këtyre viteve më është dashur që për këtë pasuri të jap zekat me vlerë rreth 220 euro. Elhamdulilah kam qenë në marrëdhënie pune dhe kam arritur të ndaj nga paga shumën e sipërpërmendur. Për pak kohe inshaAllah do ta ndërpres punën për shkak të lindjes së fëmijës së dytë, me ç’rast do të më ndërpriten edhe të ardhurat.
(Ndoshta vlen të theksohet se zekatin e kam dhënë për tërë sasinë e arit, pa hequr stolitë, siç thonë disa).

Kam hallin se s’do të kem të holla për ta paguar zekatin vitin që vjen apo viteve që vijnë.

A duhet të shes çdo vit pjesë nga ari në mënyrë që ta paguaj zekatin për të? Nëse po, atëherë kjo pasuri shume shpejt do të më harxhohet tërësisht. Si qëndron kjo punë me Islam?

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, mbi shokët dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Çështja e zekatit në arin apo stolitë e gruas është njëra nga problematikat në të cilat debati i juristëve islamë është shumë i gjerë. Sa u përket medhhebeve, hanefitë janë ata të cilët e obligojnë zekatin në stoli, kurse malikitë, shafitë dhe hanbelitë nuk e shohin të obliguar. Pastaj edhe brenda medhhebeve ka juristë që anojnë nga njëri apo tjetri medhheb, p.sh. ka prej hanefive që thonë se nuk është obligativ dhe ka prej medhhebeve të tjera që thonë se është obligativ e kështu me radhë. Edhe dijetarët bashkëkohorë kanë qëndrime të ndryshme në elaborimet e tyre.

Sidoqoftë, pa u zgjeruar më shumë, ju themi se nëse gruaja ka stoli të cilat i përdor zakonisht nëpër munasebete, sikurse dasma, ahengje, takime të grave, etj., atëherë mendojmë se e drejtë është të mos obligojmë me zekat.

Në anën tjetër, nëse gruaja ka blerë stoli dhe qëllimi nga blerja e atyre stolive nuk ishte përdorimi i tyre, por ruajtja e parave që ka dhe ka menduar që mënyra më e mirë për ruajtjen e parave është që ato të shndërrohen në ar, atëherë për këtë masë stolish do të duhej të jepte zekatin (kuptohet nëse arrihet nisabi), edhe nëse do të detyrohet të shesë diçka nga ai ar.

Gjithashtu, nëse gruaja ka stoli jashtë sasisë që gruaja zakonisht përdor, me një fjalë ka stoli aq shumë saqë rrinë me muaj e me vite pa i përdorur nëpër munasebet, atëherë edhe për këtë obligohet të japë zekat nëse arrin nisabin.

Por nëse ka një masë stolish të cilat i përdor kohë pas kohe, atëherë e sakta është që për ato stoli nuk jepet zekati edhe nëse arrijnë nisabin.

Në fund të kësaj përgjigjeje themi se për këtë problematikë është debatuar shumë nga ana e juristëve islamë dhe ne me lejen e Allahut, në ndonjë rast tjetër do të sjellim në mënyrë më të detajuar shtjellimet e tyre.

Zoti e di më së miri!

Hoxhë Alaudin Abazi