A i kanë bërë magji Profetit tonë? – Përgjigje nga Hoxhë Ismail Bardhoshi
(Rrëzimi i dyshimeve rreth këtij hadithi të saktë)
Hisham Ibn Urve ka transmetuar nga i ati dhe ky nga Aishja (r.a.) e cila ka treguar: “Një burrë nga fisi Benu Zurrejk, që quhej Lebid Ibn el A’sam, i bëri magji të Dërguarit të Allahut (s.a.u.s.), aq sa Profetit i dukej sikur e kishte bërë diçka, por në fakt nuk e kishte bërë atë. (Sipas një transmetimi tjetër thuhet: “I dukej sikur shkonte te gratë e tij, por në fakt ai nuk shkonte te ato”, domethënë, mendonte që kishte aftësi për marrëdhënie intemi me gruan, por kur i afrohej nuk mundte të kryente marrëdhënie”). Një ditë ose një natë, kur ishte tek unë, u lut e u lut (duke e përsëritur lutjen). Më pas më tha: “O Aishe, a e di ti se Allahu ma ka pranuar lutjen që i bëra (dhe më ka treguar për sëmundjen që kam)? Mua më erdhën dy burra. Njëri u ul tek koka ime dhe tjetri u ul tek këmbët e mia. Dhe njëri prej tyre e pyeti tjetrin: “Çfarë sëmundje ka?” Ndërsa tjetri iu përgjigj: “Ka magji”. – “Kush i ka bërë magji?” – e pyeti. – “Lebid Ibn El A’sam” – iu përgjigj. – “Në çfarë sendi ia ka bërë magjinë?” – “Në një krehër, në disa fije floku që dalin nga krehja, dhe këto i ka vendosur në lëvoren mashkullore të boçit të palmës”. – “Ku gjendet ajo?” – “Në pusin Dherrvan”. Kështu, Profeti (s.a.u.s.) shkoi atje bashkë me disa shokë të tij dhe, kur u kthye, tha: “O Aishe, uji i atij pusi dukej si bojë kënaje (i kuqërremë). Frutet e palmave, që janë vaditur me ujin e atij pusi, dukeshin të shëmtuar si kokat e shejtanëve”. I thashë: “O i Dërguari i Allahut, përse nuk e nxorre?” Ai mu përgjigj: “Mua më shpëtoi dhe më shëroi Allahu, prandaj nuk më pëlqen që të provokoj diçka që sjell dëm për njerëzit”. Pas kësaj Profeti (s.a.u.s.) dha urdhër që të mbulohej pusi.” E transmetojnë Buhariu (5763) dhe Muslimi (2189).
Në të shkuarën një pjesë e kelamistëve (skolastikëve), si mutezilitët dhe të tjerë, e kanë mohuar hadithin që vërteton se dikush i bëri magji Profetit (s.a.u.s.). Ata e kanë mohuar me pretendimet se transmetuesi i hadithit, Hisham Ibn Urve, është i diskutueshëm si transmetues, se ky është një hadith ‘ehad’ dhe se ky hadith bie në kundërshtim me Kuranin dhe me logjikën. Dijetarët e Sunetit i kanë hedhur poshtë këto pretendime. Për çudi, në kohën tonë kanë dalë ca njerëz që po e mohojnë saktësive e këtij hadithi po me të njëjtat dyshime. Në disa portale apo faqe interneti në arabisht vërejmë që këtë hadith e mohojnë njerëz që u përkasin një fryme liberale mes muslimanëve, ose një fryme që mohon citatet e Islamit apo i shtrembëron ato që të përshtaten me idetë e perëndimit, ose atyre që i japin përparësi logjikës kundrejt citateve të Kuranit dhe të Sunetit. Së fundi, kemi dëgjuar edhe ithtarë të sektit të ‘kuranistëve’ që e përmendin këtë hadith si shembull për hadithet që i shënon Buhariu në Sahih të tij dhe që, sipas tyre, janë në kundërshtim me Kuranin dhe me logjikën!! Në të shkuarën grupet e devijuara nga rruga e Sunetit nuk e pranonin metodën e dijetarëve të hadithit për vlerësimin e haditheve. Në të njëjtën vazhdë, bashkëkohorët që po shfaqin devijim nga rruga e Sunetit kërkojnë të sajojnë një metodë të re dhe të vendosin rregulla të reja për vlerësimin e haditheve, duke mos respektuar rregullat e dijetarëve të dijes së hadithit, që i sollën hadithet e Profetit (s.a.u.s.) brez pas brezi deri në kohën tonë. Sipas tyre, në bazë të rregullave të reja të sajuara në kohën tonë, që do t’i nxjerrë secili me logjikën e vet, duhet të rivlerësohen edhe hadithet që kanë përzgjedhur Buhariu dhe Muslimi në dy sahihët e tyre. Ata gjykojnë se dijetarët që sollën hadithet dhe librat e hadithit me senede deri në kohën tonë nuk e kanë përdorur arsyen dhe logjikën në vlerësimin e haditheve. Kjo frymë nëse do të përhapet tek muslimanët është shumë e dëmshme, sepse hap rrugën për mohimin e të gjitha haditheve të sakta ose të një pjese të tyre, injoron dhe fyen logjikën e dijetarëve që sollën me senede Kuranin dhe Sunetin deri në kohën tonë, shkakton rrëmujë në vlerësimin dhe pranimin e haditheve, pasi secili do të gjykojë sipas logjikës së vet. Ka njerëz që gjykojnë me logjikë të saktë dhe ka të tjerë që gjykojnë me logjikë të shtrembëruar. Logjikë e saktë është vetëm ajo që përputhet me Kuranin, Sunetin, ixhmain e selefëve (brezave të parë të parë të umetit) dhe dijetarëve të Sunetit brez pas brezi deri në kohën tonë. Kjo frymë gjithashtu përbën edhe devijim nga rruga e Ehi Sunetit. Kjo frymë gjithashtu çon dhe në mohimin e njohurive që ka sjellë Profeti (s.a.u.s.) dhe që vërtetohen me hadithe të sakta. Duke paralajmëruar për dënim ata që ndjekin një rrugë tjetër jo atë të besimtarëve, Allahu i Lartësuar thotë: “Atë, që i kundërvihet të Dërguarit, pasi i është bërë e qartë e Vërteta, dhe ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve, Ne e lëmë në atë që ka zgjedhur (në dynja) dhe e fusim në Xhehenem. Sa përfundim i keq është ai!” [Nisa: 115]. Ky ajet tregon se ka një rrugë të drejtë të besimtarëve, e cila duhet të ndiqet. Po ashtu, ajeti i paralajmëron për dënim në Xhehenem ata që largohen nga Rruga e besimtarëve. Nga ajeti kuptohet qartë se Rruga e Drejtë është ajo e Profetit (s.a.u.s.) dhe e besimtarëve të kohës së tij, si edhe e besimtarëve, që ndoqën këtë rrugë brez pas brezi, deri në kohën tonë. Nëse dikush ndjek një drejtim që nuk përputhet me rrugën që ndoqën besimtarët, brez pas brezi, ai s’mund të jetë në Rrugë të Drejtë; ai do të jetë në Zjarr të Xhehenemit.
Kështu, mohimi i hadithit të mësipërm, që është pranuar unanimisht nga dijetarët e hadithit si i saktë, është një nga shembujt e devijimit nga rruga e dijetarëve të Sunetit.
Dyshimet e atyre që nuk e pranojnë këtë hadith mund t’i përmbledhim në dy pika:
E para: Transmetimi i Hisham Ibn Urves është i diskutueshëm. Kështu, ai në këtë rast është i papranueshëm.
E dyta: Pretendimi se ky hadith ku përmendet se Profetit i bënë magji është në kundërshtim me Kuranin apo logjikën, dhe prandaj nuk pranohet si i saktë.
Në lidhje me diskutimin mbi transmetimin e Hishamit duhet të sqarojmë disa gjëra:
1. Dijetarët e xherhit dhe të ta’dilit (dijetarët e hadithit që kanë vlerësuar transmetuesit) e kanë konsideruar Hisham Ibn Urve si të besueshëm dhe fort të saktë. Disa nga vlerësimet e këtyre dijetarëve për të janë: ‘i besueshëm dhe i saktë (thikah)’, ‘shumë i saktë (thebt)’, ‘merret për bazë (huxhe)’, ‘hafiz i haditheve’, ‘i përpiktë dhe i përsosur në transmetim’, ‘imam (prijës) në fushën e transmetimit të haditheve’, ‘dijetar i Islamit (shejhul islam)’, ‘i mirë dhe i devotshëm’. Disa nga dijetarët që e kanë vleresuar të saktë janë: Buhariu, Muslimi, Ibn Sa’d, el Ixhlij, Ebu Hatem, Ja’kub Ibn Shejbe, Iban Hibani. [Shih: El Mizzi, Tehdhibul kemal (30/238); Ibn Haxher, Tehdhibu tehdhib (11/50-51)]. Kështu, dijetarët e hadithit e kanë konsideruar si të saktë dhe askush prej tyre nuk ka thënë se hadithi i tij është i papranueshëm apo se ai është i dobët.
2. Ebul Hasen Ibn Katan (vq. 628h) ka thënë se Hishamit i ndryshoi kujtesa para se të vdiste. Imam Maliku i ka kritikuar transmetimet që Hishami u ka treguar banorëve të Irakut (Dhehebiu, Mizanul itidal 4/301; Ibn Haxher, Tehdhibu tehdhib 11/51). Për këtë diskutim kemi përgjigjet e mëposhtme:
Së pari, imam Dhehebiu ka theksuar se nuk merret në konsideratë pohimi i Ibnul Katanit se Hishami është ngatërruar dhe i ka ndryshuar kujtesa. Dhehebiu sqaron se Hishamit iu dobësua pak kujtesa në pleqëri, por kurrë nuk është ngatërruar. Hishami mund të ketë harruar diçka ose mund të ketë gabuar në diçka, pasi ai nuk ishte i pagabueshëm, por kjo nuk përbën shkas për refuzimin e transmetimit të tij. Në fundit e jetës ai mund të ketë treguar pak hadithe që nuk i ka mbajtur mend aq mirë, por kjo u ndodh edhe dijetarëve të mëdhenj të transmetimit si Malikut, Shu’bes, Vekiut etj. Nuk lejohet të rëfuzohen tansmetuesit e saktë apo të konsiderohen të dobët për shkak të ndonjë gabimi apo diskutimi që nuk i ka shpëtuar asnjë transmetues i saktë. Në fakt, Hishami është dijetër i Islamit (shejh el islam). [Shih: Dhehebiu, Mizanul itidal 4/301]. Ibn Haxheri thotë se këtë që ka thënë Ibnul Katani nuk kemi vënë re ta pohojë kush tjetër para tij.
Së dyti, imam Maliku dhe disa dijetarë të tjerë kanë kritikuar pak transmetime të Hishamit të cilat ai i ka treguar kur ka shkuar për herë të fundit në Irak. Në këtë herë ai kishte transmetuar nga i ati, Urve, disa gjëra që nuk i kishte dëgjuar prej tij. Por edhe kjo për dijetarët e hadithit nuk është arsye për refuzimin e transmetimit të tij.
Së treti, hadithi i mësipërm i Hishamit nuk mund të përfshihet në transmetimet e tij të diskutueshme, për disa fakte:
Fakti i parë: Hishami ka pohuar që e ka dëgjuar nga i ati, Urve, dhe e ka mbajtur mend mirë kur ia ka treguar. Shih transmetimin nr. 3268 në Sahih el Buhari.
Fakti i dytë: Këtë hadith nuk e kanë sjellë vetëm transmetues irakianë, por edhe transmetues të Mekës, Medinës, Egjiptit etj. Transmetimet e këtyre nga Hishami nuk janë kritikuar. Për shembull, e ka transmetuar Enes Ibn Ijad el Medenij, Lejth Ibn Sa’d el Misrij (Sahih el Buhari nr. 6391), Abdurrahman Ibn Ebi Zinad el Medenij (Sahih el Buhari nr. 5763), Abdul Melik Ibn Abdil Aziz Ibn Xhurejxh el Mekij, Sufjan Ibn Ujejne El Kufij el Mekij. Kështu, ra poshtë pretendimi që këtë transmetim mund ta kenë sjellë vetëm ata që kanë transmetuar nga Hishami në herën e fundit kur ai shkoi në Irak.
Fakti i tretë: Këtë hadith e kanë sjell nga Hishami mbi dhjetë transmetues, dhe në mesin e tyre janë edhe disa imam (prijës) në fushën e transmetimit si: Jahja Ibn Said Ibn el Katan, Sufjan Ibn Ujejne, Lejth Ibn Sa’d. Disa prej këtyre kanë qenë fort të saktë dhe të përpiktë në transmetim siç është Jahja el Katan. Ky numër i madh transmetuesish padyshim që tregon se Hishami nuk e ka treguar këtë hadith vetëm në fundin e jetës, por edhe më përpara; ai nuk e ka treguar këtë hadith vetëm në Irak, por ua ka treguar edhe transmetuesve të vendeve të tjera.
Fakti i katërt: Hadithin e mësipërm e kanë përzgjedhur Buhariu dhe Muslimi në dy sahahit e tyre. Pa dyshim që ata e kanë përzgjedhur, sipas kushtit të tyre, si një transmetim të saktë dhe të padiskutueshëm. Buhariu dhe Muslimi kanë përzgjedhur transmetimet që janë të sakta dhe i kanë lënë të dobëtat apo të diskutueshmet.
Fakti i pestë: Asnjëri nga dijetarët që kanë vënë në dukje problemet e transmetimeve, siç është Dare Kutniu, nuk ka përmendur ndonjë problem apo diskutim për transmetimin e hadithit të mësipërm. Nëse ai do të kishtë qenë një hadith me transmetim të diskutueshëm, është e pamundur që dijetarët të mos e kishin vënë re dhe të mos e kishin bërë të ditur këtë.
Fakti i gjashtë: Askush nga dijetarët e hadithit dhe të sunetit nuk e ka vënë në diskutim saktësinë e këtij hadithi. Kështu, ky është një nga ato hadithe që dijetarët e hadithit i kanë pranuar unanimisht si të sakta.
Fakti i shtatë: Këtë ngjarje nuk e ka transmetuar vetëm Hishami, por dhe të tjerë. Ajo është sjellë dhe si një hadith tjetër i saktë, që e transmeton Zejd Ibn Errkam (r.a.). [Shih: Musned Ahmed (19267; Musannaf Ibn Ebi Shejbe (23518); El Muntekhab min Musned Abd Ibn Humejd (271); Sunen En Nesai (4080); El Hakim, el Mustedrek (8074); Taberaniu, El Mu’xhem el Kebir (5016); Tahaviu, Sherhu Mushkilil Athar (5935)]. Sipas këtij varianti, kjo ngjarje ka qenë edhe shkaku i zbritjes së dy sureve të fundit të Kuranit; En-Nas dhe El Felek. Ibn Haxheri ka bërë të ditur në Telkhis el Habir (4/76) se edhe në variantin që ka transmetuar Sufjan Ibn Ujejne në tefsirin e tij nga Hishami, ky nga i ati (Urve) dhe ky nga Aishe (r. anha) përmendet se për shkak të kësaj ngjarjeje ka zbritur surja El Felek. Ibn Haxheri ka gjykuar se kjo rrugë nga Aishja është e saktë.
3. Kjo ngjarje përshkruhet dhe në disa hadithe të tjera ‘murrsele – me shkëputje në sened’. Duke u përgjigjur për këtë paqartësi themi: Për një njohës të fushës së hadithit, hadithet e tjera ‘murrsele’ nuk e dobësojnë aspak hadithin e mësipërm të Hishamit që sillet me sened të pandërprerë dhe të saktë, përkundrazi, ato shërbejnë si dëshmi përforcuese. Hadithi konsiderohet i saktë dhe pa përforcues të tillë, por ato japin një siguri akoma më të madhe që ajo është një ngjarje e vërtetë. Nga ana tjetër, hadithi i Hishamit dëshmon se këto hadithe murrsele konsiderohen të sakta, sa i përket fragmenteve të kësaj ngjarje që përputhen me hadithin e tij (Hishamit). Ndërsa për ata që flasin pa dije mbi këtë fushë ose sipas dëshirës themi: Allahu i udhëzoftë që të njohin nivelin që kanë dhe që të mos flasin pa dije e as sipas dëshirës! Mjafton të përmendim faktin që askush nga dijetarët e hadithit nuk e ka përmendur këtë si problem për saktësinë e këtij hadithi. Kështu që këtë e përmendin si problem vetëm njerëz që nuk bëjnë haber nga kjo fushë.
4. Ky hadith, duke marrë parasysh variantet e tij të ndryshme, ka disa shprehje të paqarta ose në dukje të papajtueshme. Përgjigjja për këtë paqartësi: Në dy Sahihët ka mjaft hadithe që kanë fjalë ose fragmente të tilla. Dijetarët në “komentarët e haditheve”, si: Fet’hul Bari, Sherh Sahih Muslim etj., japin shpjegime për këto fjalë apo variante të paqarta dhe harmonizojnë hadithet apo variantet e tyre të ndryshme. Këto njihen tek dijetarët si ‘mushkilul hadith’ ose si ‘ihtilaful hadith’. Kështu që ekzistenca e ndonjë fjale a togu të tillë në këto hadithe nuk është arsye për të vënë në diskutim saktësinë e tyre. Muslimani i çiltër u referohet ‘shuruhul hadith – komentarëve të hadithit’ kur ka ndonjë fjalë të paqartë në ndonjë hadith ose kur nuk e di si të harmonizojë hadithet apo variantet që në dukje janë të papajtueshme.
5. Ibn Kajim ka thënë: “Për dijetarët e hadithit ky është një hadith i saktë. Ata e kanë pranuar si të saktë. Ata nuk kanë kundërshtim mbi saktësinë e këtij hadithi. Por çështja e këtij hadithi u është pëshjtelluar shumë njerëzve, kelamistë dhe të tjerë. Kështu, ata nuk e kanë pranuar atë.” Më pas Ibn Kajim thotë: “Kjo që kanë thënë këta është e papranueshme për dijetarët. Hishami është ndër njerëzit më të besueshëm, më të saktë dhe më të ditur. Askush nga imamët (prijësit e fushës së hadithit) nuk e ka akuzuar Hishamin për diçka që e bën të papranueshëm hadithin e tij. Atëherë, ç’kanë kelamistët që flasin për saktësinë e këtij hadithi kur kjo nuk është fusha e tyre? Këtë hadith e kanë transmetuar edhe të tjerë veç Hishamit nga Aishja (r. anha). Autorët e dy Sahihëve (Buhariu dhe Muslimi) e kanë përzgjedhur që të dy si të saktë këtë hadith. Askush nga dijetarët e hadithit nuk ka bërë ndonjë diskutim për saktësinë e këtij hadithi. Kjo është një ngjarje e njohur për dijetarët e tefsirit, dijetarët e Sunetit dhe të hadithit, historianët dhe fukahatë. Këta i kanë njohur më mirë sesa kelamistët jetëshkrimin e Profetit (s.a.u.s.) dhe ngjarjet që i kanë ndodhur atij” (Bedaiul fevaid 2/223-224).
6. Në lidhje me pranimin e hadithit ‘ehad’ si argument për çështjet e fesë kam bërë një studim të zgjeruar në librin “Studime dhe fetva” (fq. 293-303).
Në lidhje me pretendimin tjetër se ky hadith bie ndesh me Kuranin Kerim apo me logjikën, po përmendim në vijim dyshimet e tyre dhe përgjigjen për secilin dyshim:
1. Hadithi i mësipërm që pohon se Profetin (s.a.u.s.) e preku magjia bie ndesh ne Kuranin. Allahu ka përmendur në Kuran thënien e kafirëve për Profetin tonë (s.a.u.s.): “Të padrejtët thanë: “Ju ndiqni vetëm një njeri të magjepsur”!” (El Furkan, 8). Sipas tyre, nëse do ta pranonim se Profetin (s.a.u.s.) e ka prekur magjia, atëherë do të pranohet akuza e kafirëve për të, të cilën Allahu e ka hedhur poshtë në Kuran. Edhe në disa vende të tjera në Kuran Allahu ka përmendur se kundërshtarët i kanë akuzuar profetët si të magjepsur.
Përgjigjja: Me fjalën “një njeri të magjepsur” idhujtarët kishin për qëllim që Profeti (s.a.u.s.) ishte bërë i çmendur nga magjia, pra, që ai e kishte humbur aftësinë mendore nga magjia. Ata doshin të thonin se pofetësia e të Dërguarit tonë Muhamedit (s.a.u.s.) ishte një gjendje çmendurie. [Shih: Tefsirin e Taberiut (8/88), Tefsirin e Kurtubiut (5/177), Tefsirin e Sheukanit (1/1277); Ibn Kajim, Bedaiul fevaid (2/226)]. Ndërsa hadithi i mësipërm pohon që magjia që preku Profetin (s.a.u.s.) i shkaktoi atij një sëmundje fiziologjike (trupore) si të gjitha sëmundjet fizike që nuk prekin aftësinë mendore. Pra, hadithi flet për një magji që preku trupin e Profetit (s.a.u.s.) dhe jo mendjen e tij. Kjo magji konsiderohet një nga sëmundjet fizike, prej të cilave ka vuajtur Profeti ynë (s.a.u.s.). Dihet që profetët i kanë prekur sëmundjet fizike si të gjithë njerëzit e tjerë. Atëherë, ajo për të cilët flet ajeti dhe ajo që pohohet në hadith janë dy gjëra të ndryshme. [Shih: El Kadi Ijad, Esh-shifa (2/866); Ibn Kajim, Bedaiul Fevai (2/226); Sherh Sahih Muslim (14/346); Fet’hul Bari (10/279)]. Shejtani e ka prekur Ejubin (a.s.) në trup dhe i ka shkaktuar atij sëmundje trupore, mundim dhe vuajte. Kjo mësohet nga ajeti (41) i sures Sad. Gjithashtu, Allahu i Lartësuar ka përmendur në Kuran në suren Taha (66) se Musait (a.s.) iu dukën litarët dhe shkopijtë sikur ishin gjarpërinj që lëviznin me shpejtësi nga magjia që bënë magjistarët. Nga ana tjetër Allahu i Lartësuar ka përmendur në Kuran (Isra, 101) se Firaoni e ka quajtur Musain (a.s.) si të magjepsur. Kështu, ajo që u ka ndodhur realisht profetëve është tjetër, dhe ajo që shpifnin kundërshtarët për ta ishte tjetër.
2. Pohimi që Profetin (s.a.u.s.) e preku magjia cenon pozitën e tij si Profet, ngjall dyshim për të, bën që njerëzit të mos kenë besim në aftësinë e tij për përcjelljen e fesë.
Përgjigjja: Magjia ka prekur vetëm fizikun e Profetit (s.a.u.s.) dhe pjesët e dukshme të tij. Ajo nuk ka prekur aspak mendjen, zemrën dhe besimin e tij. Magjia që preku Profetin (s.a.u.s.) është një nga sëmundjet. Profetët mund t’i prekin sëmundje që nuk cenojnë pozitën e tyre si profetë. Magjia që preku Profetin tonë (s.a.u.s.) pati ndonjë pasojë vetëm në fizikun e tij dhe në ndonjë çështje të jetesës së kësaj bote, siç ishte raporti me bashkëshorten. Profetët mund t’i prekin sëmundje dhe shqetësime të kësaj natyre, ashtu si mbarë njerëzit e tjerë. Profetëve mund t’u bjerë dhe të fikët nga sëmundja, siç i ndodhi Profetit tonë (s.a.u.s.) në sëmundjen e vdekjes. Këto gjëra nuk kanë të bëjnë aspak me përcjelljen e mesazhit profetik dhe as nuk e cenojnë këtë pjesë. Argumentet e padiskutueshme dhe ixhmai dëshmojnë për besnikërinë dhe saktësinë e Profetit (s.a.u.s.). Ato tregojnë se ai nuk mund të gabojë në çështje që i përkasin përcjelljes së mesazhit profetik. [Shih: El Kadi Ijad, Esh-Shifa (2/866), Ibn Kajim, Bedaiul Fevaid (2/224); Sherh Sahih Muslim (14/346); Fet’hul Bari (10/279)].
3. Profetët nuk mund t’i prekë magjia, sepse Allahu i Lartësuar i ka bërë të mbrojtur dhe të paprekshëm nga shejtani.
Përgjigja: Ashtu sikurse Allahu i mbron Profetët, i ruan ata dhe kujdeset për ta, Ai me kaderin e Tij i vë në provë ata me ndonjë vuajtje që u japin kafirët, ku hyn edhe sëmudja fizike e shkaktuar nga magjia. Këto vuajtje kanë si qëllim që profetët të fitojnë një gradë më të lartë nderimi tek Allahu i Lartësuar. Vuajtjet që kanë hequr profetët shërbejnë edhe si shembull ngushëllues për të vuajturit. Njerëzit që vuajnë, kur kujtojnë vuajtjet e profetëve, do të durojnë dhe do të kënaqen me caktimin e Allahut të Lartësuar. Një urtësi tjetër: kafirët ngarkohen me fajin e madh të mundimit të profetëve. Dhe kështu meritojnë dënimin e Allahut në botën e këtushme dhe në ahiret. Allahu i shkatërron ata për shkak të padrejtësisë dhe armiqësisë që tregojnë ndaj profetëve dhe e pastron tokën prej tyre. Këto janë disa nga urtësitë e Allahut të Lartësuar në sprovimin e profetëve me vuajtjet që heqin nga kafirët.
Profetët i kanë prekur sëmundjet. Ata kanë vuajtur shumë. Madje profetët kanë duaruar spovat më të rënda. Profetët kanë vuajtur nga armiqtë sprova të ndryshme, si: vrasje, rrahje, gjakosje, plagosje, sharje, fyerje , shpifje, tallje, kufizim lirie, shpërfillje, dëbim nga vendi. Edhe Profeti ynë ka vuajtur sprova të tillë nga kundërshtarët e tij në Mekë. Madje s’ka njeri që ka vuajtur për hirë të Allahut të Lartësuar më shumë se Profeti ynë (s.a.u.s.), siç e ka pohuar dhe vetë ai (s.a.u.s.) në një hadith. Kundërshtarët kanë tentuar ta vrisnin. Janë përpjekur ta mbysnin. I kanë hedhur placentën e devesë në shpinë kur ishte në senxhde. E kanë gjakosur. Armiqtë e kanë plagosur në luftë. Çifutët e kanë helmuar. Profeti (s.a.u.s.) ka vuajtur nga sëmundjet. Atij i ka rënë të fikët. Një nga këto sprova është edhe sëmundja e magjisë. Këto gjëra nuk e cenojnë aspak pozitën e profetëve. [Shih: Ibn Kajim, Bedaiul el Fevaid (2/224).
4. Si ka mundësi që Profetin (s.a.u.s.) e preku magjia kur ai këndonte Kuran, bënte dhikër dhe i lutej Allahut të Lartësuar?
Përgjigjja: Profeti (s.a.u.s.) ka bërë lutje edhe për shëndet dhe për shpëtim nga sëmundjet dhe sprovat. Ka disa hadithe që tregojnë lutje të tilla që ka bërë Profeti (s.a.u.s.). Madje Profeti bënte lutje çdo mëngjez e çdo mbrëmje për ‘afije’ (shpëtim nga sëmundjet, sprovat, vuajtjet dhe të këqijat), siç tregon hadithi i Abdullah Ibn Umerit (r. anhuma), që e shënon Ebu Daudi (5074). Megjithëkëtë, atë e kanë prekur sëmundjet fizike si sprovë. Disa nga urtësitë e kësaj sprove u përmendën më lart. Por ka edhe urtësi të tjera. Po kështu themi edhe për sprovën e magjisë që pati pasojë vetën në fizikun e tij. Atëherë, këto fakte nuk bien ndesh me njëra-tjetrën, “por shumica e njerëzve nuk dinë”, siç thotë Allahu i Lartësuar në Kuran.
Nga ky studim dalim me këto konkluzione:
Së pari, ranë poshtë të gjitha dyshimet që hidhen mbi saktësinë e hadithit, në të cilin përmendet se Profetit (s.a.u.s.) i bënë magji.
Së dytë, u bë e qartë se ky hadith, që e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi dhe që dijetarët e kanë pranuar unanimisht si të saktë, nuk bie ndesh as me Kuranin dhe as me logjikën.
Së treti, doli qartë që nuk qëndron problemi në gjykimin unamin të dijetarëve të hadithit të cilët e kanë pranuar të saktë këtë hadith, por në logjikën e shtrembëruar të atyre që dalin kundër dijetarëve të kësaj fushe, duke pretenduar se ky hadith është në kundërshtim me Kuranin dhe logjikën. Dijetarët e hadithit kanë refuzuar çdo hadith të trilluar, përfshi dhe ata që bien ndesh me Kuranin apo me logjikën. Nëse ky hadith do të ishte në kundërshtim me logjikën dhe me Kuranin, si ka mundësi që nuk e kapën diçka të tillë këta dijetarë? Kështu, ideja se hadithi i mësipërm është në kundërshtim me Kuranin apo me logjikën përbën edhe fyerje për dijetarët e hadithit dhe cenon pozitën e tyre, pasi si nuk arriti asnjëri prej tyre ta kapte diçka të tillë!?
Së katërti, kjo që sqaruam për këtë hadith duhet të vlejë si shembull për çdo hadith tjetër që dijetarët e hadithit e kanë pranuar si të saktë, kurse të devijuarit e konsiderojnë në kundërshtim me Kuranin apo logjikën. Muslimani duhet ta ketë të qartë se nuk ka hadith që e kanë pranuar si të saktë dijetarët e hadithit dhe që është në kundërshtim me Kuranin apo logjikën. Nëse do ta pranonim diçka të tillë, atëherë do të viheshin në dyshim rregullat e diturisë së hadithit, në bazë të të cilave dijetarët e hadithit kanë vlerësuar hadithet. Prandaj, besimtari duhet ta pranojë si të saktë çdo hadith që dijetarët e fushës së hadithit e kanë vlerësuar si të tillë, qoftë edhe nëse nuk di të japë përgjigje për dyshimet që hedhin të devijuari mbi të, pasi aftësinë për të dhënë përgjigje për dyshime të tilla e kanë njohësit e fushës së hadithit. Ashtu sikurse për çështjet mjekësore, sëmundjet dhe ilaçet do tu referohemi ekspertëve të kësaj fushe, edhe pse ka të tjerë që flasin pa dije dhe ngjallin dyshime, po ashtu edhe për fushën e hadithit do tu referohemi dijetarëve të kësaj fushe pa përfilluar diskutimet e atyre që nuk janë dijetarë të kësaj fushe. Nuk duhet t’i përfillim dyshimet dhe diskutimet e atyre që dalin me gjëra që janë në kundërshtim me qëndrimin unanim të dijetarëve të fushës së hadithit.
Së pesti, imam Neveviu dhe hafiz Ibn Haxheri kanë sjellë një citat të Maziriut ku ai thotë për ata që e mohojnë saktësinë e këtij hadithi: “…Disa bidatçij e kanë mohuar saktësinë e këtij hadithi…” [Shih Sherh Sahih Muslim (14/346); Fet’hul Bari (10/279)].
Po si gjykohet për atë që mohon hadithet e sakta? Në lidhje me këtë çështje duhen sqaruar rastet e mëposhtme:
Rasti i parë: Kush e mohon krejtësisht bazimin në hadithet e Profetit (s.a.u.s.) ose mohon një çështje të bazuar në Sunet që njihet domosdoshmërisht si pjesë e fesë islame, si: pesë namazet farze, ezanin, ai është kafir.
Rasti i dyti: Nëse dikush mohon një hadith apo disa hadithe të pranuara si të sakta në mënyrë unanime nga dijetarët e hadithit, ai ka devijim. Po kështu nëse mohon ndonjë çështje të fesë të bazuar në hadithe të tilla të sakta, por që nuk njihet domosdoshmërisht si pjesë e fesë, ai ka devijim. Duhet parë deri në ç’shkallë arrin ky devijim, në varësi të çështjes dhe paqartësisë që ka personi që e mohon atë. Gjithsesi, në këtë rast nuk duhet të nxitohesh në tekfir.
Dihet se ata që përmenden në rastin e parë janë shumë më të këqij dhe shumë më larg të vërtetës sesa ata që përmenden në rastin e dytë, pasi mohuesit e haditheve në rastin e parë janë kafirë. Por njerëzit që i përkasin kategorisë së përmendur në rastin e dytë përbëjnë rrezik më të madh për përhapjen e frymës së mohimit të haditheve të sakta mes muslimanëve, pasi ata janë në mesin e muslimanëve dhe mund të ngjallin paqartësira për refuzimin e shumë haditheve të sakta, si dhe për mohimin e shumë çështjeve fetare të bazuara në to, siç ka ndodhur në të shkuarën me sektet e kelamistëve. Këta njerëz nuk respektojnë rregullat e dijetarëve të hadithit për vlerësimin e haditheve, por kërkojnë që secili të vendosë rregulla të reja, sipas logjikës së vet. Sipas këtyre, hadithet e paranuar si të sakta nga dijetarët, përfshi dhe ato që janë në Buhari dhe Muslimë duhet të rishihen edhe njëherë, në bazë të një metode shkencore me rregulla të reja. Në këto pika këta kanë ngjashmëri me mohuesit e haditheve në rastin e parë. Madje kjo frymë i çon njerëzit deri në mohimin e krejt haditheve si në rastin e parë. Nëse muslimanët do të pranojnë këtë metodë me rregulla të reja, do të bien rregullat që kanë respektuar dijetarët e hadithit; do të hapet porta e mohimit të haditheve të sakta; do të hapet mundësia që çdo njeri i devijuar të pretendojë për ca hadithe se ato nuk përputhen me Kuranin apo me logjikën; do të bëhet krejt normale që njerëzit të fyejnë dijetarët e hadithit duke pretenduar se ata nuk kanë ditur se çfarë është në kundërshtim me Kuranin dhe logjikën e çfarë jo; do të bëhet një rrëmujë rregullash të reja për velerësimin e haditheve. Perderisa nuk i pranojnë rregullat e ndjekura nga dijetarët e hadithin dhe mendojnë keq për logjikën e tyre, atëherë secilit do t’i pëlqeje mendja e vet në vënien e rregullave të reja dhe vlerësimin e haditheve. Për çdo hadith që bie ndesh me idetë e tyre do të thonë se bie ne kundërshtim me Kuranin ose logjikën, edhe pse atë e kanë pranuar si të saktë dijetarët e hadithit. Kështu, me të njëjtin pretendim laiket do të mohojnë disa hadithe, moderrnistët do të mohojnë disa hadithe, liberalët disa hadithe, liberaloislamikët disa hadithe. Mes këtyre rrymave të këqija ka edhe bidatçij, pasi nuk janë të gjithë kafirë. Mundësia e vetme për të shpëtur nga këto pasoja është ndjekja e rregullave të dijetarëve të hadithit, duke i pranuar hadithet që ata i kanë vlerësuar si të sakta. Për të ndekur këtë rrugë njeriu duhet të heqë dorë nga mendjemadhësia, si dhe idetë dhe paqartësitë i bidatçijve. Ai duhet të ketë mendim të mirë për dijetarët e sunetit. Nëse nuk arrin të kuptojë diçka ose nuk harmonizon dot argumentet që i duken të papërpuethshme nuk duhet të nxitohet dhe të akuzojë metodën shkencore të dijetarëve të hadithet dhe logjikën e tyre, se bie në kundërshtim me Kuranin apo logjikën, por duhet ta gjejë problem në mendimin e vet.
Rasti i tretë: Kur dijetarët e hadithit nuk janë në pajtim mbi saktësinë e një hadithi. Në këtë rast, nëse studiuesi zgjedh një mendim të konsiderueshëm tek dijetarët e hadithit, duke respektuar metodën dhe rregullat e këtyre dijetarëve dhe jo me epsh apo rregulla të reja, ky mendim mund të quhet gabim, por jo devijim.