Pyetja:

A lejohet sipas fesë islame që femra të ngasë makinën?

***

Përgjigjja: 

Automjetet janë një shpikje që i përkasin kohëve moderne dhe nuk kanë ekzistuar në kohën e Pejgamberit (ﷺ), kohë në të cilën për transport tokësor të njerëzve dhe të mallrave përdoreshin kafshët. Ndërkohë  përdorimi i këtyre mjeteve ka qenë i lejuar, si për burrat ashtu dhe për gratë, kështu që në këtë rast vlen analogjia e lejimit të përdorimit të automjeteve me lejimin e përdorimit të kafshëve, sepse kryejnë të njëjtin funksion. Ky lejim mbështetet gjithashtu edhe në rregullin e sheriatit që thotë se: “Norma bazë në lidhje me traditat dhe zakonet, në vende dhe në kohë të ndryshme, është se ato janë të lejuara, për aq kohë sa ato nuk bien ndesh me parimet e sheriatit.”

Nëse hedhim një vështrim në kohën e Profetit (ﷺ), do të gjejmë se gratë i përdornin mjetet e transportit të asaj kohe, siç qenë devetë, kuajt, mushkat, gomerët etj., ndaj dhe duke u nisur nga kjo pohojmë se në origjinë lejohet që femra të ngasë makinën, sepse nuk ka asnjë argument të drejtpërdrejtë që ta ndalojë këtë gjë. Por, në këtë rast pohojmë se gruaja duhet të ketë parasysh disa gjëra, në mënyrë që drejtimi i automjetit prej saj të jetë në përputhje me rregullat e sheriatit:

1- Të mos marrë udhëtime të gjata e vetme dhe pa shoqërues, sepse Pejgamberi (ﷺ) ka thënë: “Nuk i lejohet një gruaje, që beson në Allahun dhe Ditën e Fundit, që të udhëtojë në distancën e një ditë e një nate pa mahrem (shoqërues)”. [1]

2- Të mos udhëtojë me burra të huaj, që nuk janë familjarë të saj, në mënyrë që të mos vihet në rrezik nderi i saj. Pejgamberi (ﷺ) ka thënë: “Nëse vetmohet një mashkull dhe një femër (të huaj), i treti i tyre është shejtani”. [2]

3- Të ketë siguri në përdorimin e automjetit, se nuk do të bëhet shkak për cenimin e jetës, nderit dhe pasurisë së saj.

Allahu e di më së miri.

Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë

————————————
[1] Buhariu dhe Muslimi

[2] Ahmedi