Pyetja:

Si të veprojë taksisti në rastet kur pasagjeri mbart me vete diçka të ndaluar fetarisht?

***

Përgjigjja:

Nuk i lejohet një shoferi musliman që të lidh një kontratë për të transportuar gjëra të ndaluara fetarisht, si p.sh.: pije alkoolike, mish derri etj. Kjo për shkak se argumentet fetare tregojnë se është i mallkuar ai që mbart pijet alkoolike, po kështu një nga rregullat bazë të fesë thotë se nëse Allahu e ka ndaluar diçka e ka ndaluar edhe dhënien e ndihmës së drejtpërdrejtë apo të qëllimshme që çon në konsumimin e këtyre gjërave.

Nëse është lidhur një kontratë për transportin e një pasagjeri, tolerohet prezenca e gjërave të ndaluara që ai mund të mbart me vete, në trup apo bagazh, sepse kontrata në themel nuk është bërë për transportimin e tyre, por për pasagjerin, dhe kjo gjë në origjinë është e lejuar, përderisa pasagjeri nuk e ka shfaqur qëllimin e tij të ndaluar fetarisht.
Nuk është e pëlqyeshme për taksistin musliman të qarkullojë nëpër vende që njihen si pika ku përhapet imoraliteti, dhe bëhet akoma më e papëlqyeshme në kohët kur dihet që shtohet ky lloj aktiviteti, në mënyrë që të mos detyrohet të ketë të bëjë me njerëz që bien në haram. Vende dhe hapësira të tjera ku nuk zhvillohen të tilla aktivitete janë të mjaftueshme për punën e tij.

Allahu e di më së miri.

Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë