Pyetja: 

A i pranohet agjërimi atij që nuk fal namaz?

***

Përgjigjja:

Me emrin e Allahut. Salavatet qofshin për Profetin tonë!

Si namazi ashtu dhe agjërimi janë prej shtyllave të Islamit, siç përmendet në hadithin e Ibn Umerit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), ku Profeti ﷺ thotë:

“Islami është ndërtuar mbi pesë: Dëshmia se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe kryerja e haxhit.” [1]

Dijetarët kanë rënë dakord që lënësi i namazit duke e mohuar atë si detyrim bën kufr dhe del nga Islami dhe për rrjedhojë nuk i pranohet atij asnjë vepër. Kjo vlen edhe kur mohon njërën nga shtyllat dhe obligimet e tjera islame. Ndërsa kur njeriu e lë namazin me përtaci duke e besuar dhe pohuar se ai është detyrim, atëherë shumica e dijetarëve islam nëpër shekuj mendojnë se ky njeri është gjynahqar, që ka bërë kufër të vogël, por nuk del nga Islami, përderisa pohon dhe beson në Allah, në Ditën e Gjykimit dhe në obligimet dhe parimet islame, mirëpo nga përtacia i neglizhon disa prej tyre.

Si namazi ashtu dhe agjërimi janë degë të besimit dhe secili është detyrë më vete dhe nuk kushtëzohen nga tjetri në vlefshmërinë e tij. Pra neglizhenca për të falur namazin nga përtacia, por edhe nga padija, siç ndodh te shumë njerëz në vendin tonë, nuk do të thotë që agjërimi i tyre është i pavlefshëm. Ka shumë njerëz që kanë dëshirë të madhe të agjërojnë dhe shprehin besim te Zoti dhe interes për fenë në Ramazan. Nuk ka kuptim që këtyre njerëzve t’u mbyllet dera duke u thënë që nuk ju pranohet agjërimi, sepse ju nuk falni namazin. Ndërkohë vetë Profeti ﷺ ka bërë lëshime për namazin për njerëz fillestar, derisa atyre tu rrënjoset besimi në zemrën e tyre. Këtu mund të përmendim hadithin ku përmendet se Profeti ﷺ një ditë i erdhi një burrë, i cili e pranoi Islamin me kushtin që të falte vetëm dy namaze dhe Profeti ﷺ e pranoi këtë. [2]

Agjëruesve të cilët nuk falin namazin duhet t’u flitet me butësi dhe urtësi dhe të këshillohen vazhdimisht që krahas agjërimit të falin edhe namazin dhe t’u bëhet e qartë rëndësia dhe pozita e namazit në Islam, por kurrsesi të mos përjashtohen njerëzit nga dera e mëshirës dhe besimit. Duhet kemi shumë kujdes e të mos futemi në kompetenca dhe gjykime që nuk na përkasin ne si krijesa. Vetëm Allahu është Ai që pranon ose jo adhurimet e njerëzve.

Allahu e di më së miri.

Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH

————————————

[1] Buhariu & Muslimi

[2] Ahmedi