Pyetja:

Kur mund të filloj agjërimin e ditëve kaza të Ramazanit ose 6 ditët e Sheualit, një ditë pas bajramit apo të pres tre ditë? Sepse kemi dëgjuar që Bajrami zgjat tre ditë dhe jo një.

***

Përgjigjja:

Muslimanët kanë dy bajrame në vit, Fitër Bajramin dhe Kurban Bajramin. Fitër Bajrami është një ditë dhe ndryshon nga Kurban Bajrami. Kurban Bajrami zgjat katër ditë, dita e parë e Bajramit dhe tre ditët e teshrikut. Profeti ﷺ kur ka folur për këto ditët ka thënë se këto janë ditë kur hahet, pihet dhe përmendet Allahu. [1] Këto ditë përkojnë me qëndrimin e haxhinjve në Mina.

Ndërsa në rastin e Fitër Bajramit, siç e përmendëm, çështja është më e thjeshtë, sepse fetarisht Fitër Bajrami është vetëm një ditë, dita e parë, ndërsa ditët e tjera janë thjeshtë shtesë nga zakonet e njerëzve për të cilat nuk ka ndonjë argument. Ndërkohë Profeti ﷺ ka ndaluar të agjërohet vetëm Dita e Bajramit, por jo ditët e tjera. Kështu që ditët kaza të Ramazanit ose gjashtë ditët e Shevalit mund të fillojnë menjëherë pas ditës së Fitër Bajramit.

Allahu e di më së miri.

Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH

——————————–

[1] Ebu Davudi (nr. 2418) Muslimi (nr. 1141)